Lajme

Eksperti amerikan: BE-ja të mos mbështetet në atë që thotë Vuçiç’i – ai është i pasinqertë  


Alon Ben Meir

Për njohësin e dinamikave politike në Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, tashmë është e qartë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, asnjëherë nuk ka pasur për qëllim të përmbushë detyrimet e tij të dala nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, të dakordësuara fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars.

Sipas tij fakti që Vuçiç dëshiron që fillimisht Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të formohet para se të fillojë t’i zbatojë detyrimet e tij të dala nga pikat e tjera të marrëveshjes konfirmon mosgatishmërinë e tij për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

“Fakti që në radhë të parë refuzoi të nënshkruante marrëveshjen flet shumë për pa sinqeritetin e tij. BE-ja nuk duhet të mbështetet në atë që thotë Vuçiç’i, por i njëjti duhet të gjykohet vetëm për atë që bën”, ka shkruar Ben Meir në rrjetin e tij social në Twitter.

Një ditë më parë profesori amerikan kishte konsideruar se vota abstenuese e Greqisë në Këshillin e Evropës është hapi i parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti helen.

Prandaj i njëjti ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të bëjë gjithçka që mundet për të bashkëpunuar në çdo nivel me Athinën zyrtare si dhe me katër shtetet e tjera anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Në takimin e radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, miratuan deklaratën për Personat e Pagjetur dhe u njoftuan me draft-statutin e parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, e cila u prezantua nga Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të këtij mekanizmi i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiç.

Pas takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drafti i statutit i prezantuar të martën në Bruksel nga ekipi në fjalë është i papranueshëm, meqë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës pasi prezanton qartësisht një dëshirë për Republika Srpska në Kosovë.

Mu për këtë arsye i pari i qeverisë ka thënë se Ekipi Menaxhues është dekomisionuar, pas propozimit të draftstatutit.

Prandaj, një ditë më pas, saktësisht më 3 maj ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Krasniqi tha, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore