Kosova

Ekonomistët: S’ka asnjë pengesë financiare për t’u plotësuar kërkesa e grevistëve


Objekti i Qeverisë së Kosovës

2.8 milionë euro në muaj apo 33 milionë euro në vit do të harxhoheshin nga kuleta e shtetit, nëse Qeveria e Kosovës do vendoste të ia rriste pagën mësimdhënësve nga 100 euro.

Dhe nëse Ligji për Pagat është afër, ashtu siç thotë ekzekutivi, atëherë s’do të ishte nevoja të ndaheshin as 30 milionë euro.

Prandaj, nëse ndahen këto mjete, Shteti nuk do të “bankrotonte”, ndryshe nga sa tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë adresimit para gazetarëve të martën pas takimit me Këshillin Grevist dhe udhëheqësin e tyre, Rrahman Jasharajn.

“Shteti jo që nuk bankroton, por as shenjë nuk ia lenë”, thotë ekonomisti Erton Bega për Albanian Post.

“Duke marrë parasysh rritjen inflamatore të të hyrave buxhetore këtë vit që mund të arrijnë rreth 350 milionë euro shtesë në buxhet, nuk ka asnjë pengesë financiare që shteti të indeksojë pagat që janë zhvlerësuar nga rritja ekstreme e çmimeve të produkteve esenciale”, shtoi ai.

Bega vuri në pah se situata e inflacionit e bënë të domosdoshme ndërhyrjen e shtetit jo vetëm në paga të sektorit publik, por edhe në indeksim të skemave sociale.

“Shtesat në paga mund të realizohen menjëherë, pasi mjetet financiare janë në dispozicion, por kjo varet drejtpërdrejt nga prioritetet e qeverisë se ku dëshiron të shpenzojë buxhetin e paplanifikuar shtesë që buron nga inflacioni i lartë”, theksoi Bega.

Si lehtë të realizueshme kërkesën e SBASHK-ut e sheh edhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

Ai tregon për AP se kërkesa për 100 euro shtesë nuk është rritje e pagave, por është plotësim i pagës së devalvume nga inflacioni.

“Kjo kërkesë nuk është për rritje, por për kompensim dhe nuk është e tepruar. Të kish qenë kjo kërkesë para një vit kisha thënë që është shumë, por sot është ndryshe”, potencon Shatri për AP.

Profesori ekonomisë ndonëse e pranon se duhet të ketë kujdes në shpenzim të buxhetit, shton se të hyrat buxhetore që realizohen me çmimet e rritura krijojnë të hyra shumë më shumë se që është projektuar në buxhetin e vitit 2022.

“Është një qëndrim i pakuptueshëm për mua për t’i injoruar këto kërkesa, sepse nëse ndahen këto mjete nuk e dërgojnë në kolaps shtetin”

“Është e përballueshme për Qeverinë, në anën tjetër është krijuar stoku prej 600 milionë eurove në këtë kohë të inflacionit dhe janë ndalur investimet kapitale”.

Kryeministri me akuza të rënda për grevistët: Këtu s’është në pyetje arsimi, logjika është e shantazhit dhe pazarit”

Të martën, kryeministri Albin Kurti në konferencë për media e ka quajtur logjikën e negocimit të grevistëve si “logjikë të pazarit dhe shantazhit”.

“Unë nuk e di çfarë anëtarësie është ajo. Ata me mua janë sjellur sikur buxheti i Kosovës të ishe para e imja. Më thoshin na ndihmo si vëllai. Si vëllai të ndihmojë privatisht. Ka kaluar koha kur kryeministri të bëhet vëlla”.

“Kërkesa për 100 euro u doli rrugës grevisteve. Projekt ligji për pagat do të dal në dëgjim publik në këtë javë”, tha kryeministri.

Vazhdojmë të jemi në Grevë

Jasharaj: Pala tjetër nuk po lëvizë nga ato që i ka deklaruar, ne po e mbrojmë anëtarësinë

Ndërsa Rrahman Jasharaj, kryetar i Këshillit Grevist dhe figura kryesore që po udhëheqë grevën në Kosovë, ka deklaruar se ata ishin gati për një kompromis, por qeveria nuk po lëvizë nga pozicioni i saj.

“Mund të them se takimi ishte përmbajtjesor, mirëpo për momentin nuk kemi ndryshime. Qeveria qëndron në deklaratat për pakon të cilat i dini (pako për 50 euro çdo muaj), ne qëndrojmë si zë i punëtorëve të sektorit publik me kërkesat tona, të cilat i dini; që të ndikojmë pozitivisht te ligji i pagave, me ligjin për shërbyesit civilë”, tha Jasharaj.

“Uroj që kryeministri Kurti edhe të tjerët mos t’i mbyllin dyert, të vazhdojnë me dialog, duke dëshiruar që gjendja të stabilizohet, besoj që kryeministri me stafin e tij do të diskutojë dhe analizojë, sepse tash është në dorën  e tyre çfarë do të ndodhë tutje. Pra, uroj që të vazhdojë dialogu, por për momentin nuk ka arritje”.

Përkundër fillimisht të dialogut, Jasharaj tha se s’do të ketë ndalje të grevës, sepse po nuk lëvizën palët nga qëndrimet e tyre, atëherë çdo bisedë është boshe.

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore