Lajme

Edhe kryeministri i Japonisë bojkoton Lojërat Olimpike të Pekinit


Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin.

Por, akoma nuk është e qartë nëse vendi do t’i bashkohet bojkotit diplomatik të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të Lojërave për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Nga seanca plenare e të enjtes, Kishida deklaroi se “Nuk e kam në plan të marr pjesë në Lojërat Olimpike”.

Ndonëse nuk sqaroi nëse Japonia do të dërgonte ndonjë zyrtar në këtë organizim, pasi shumë vende i janë bashkuar këtij bojkoti.

Kishida ka thënë vetëm se, do të marrë një vendim deri në fund të vitit, bazuar në “interesin kombëtar” të Japonisë. Kurse raportet e mediave thanë se ministrat dhe politikanët ka të ngjarë t’i anashkalojnë Lojërat Olimpike të Pekinit.

Kina ka akuzuar SHBA-në, Britaninë, Kanadanë dhe Australinë për “qëndrimin politik” dhe i paralajmëroi ata se “do ta paguanin”. Kjo sepse, këta vende njoftuan se nuk do të dërgonin delegacione zyrtarësh dhe politikanësh në Pekin, megjithatë, atletët e tyre do të garojnë.

Vendet që janë pjesë e bojkotit thanë se po protestonin kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut nga Kina. Kjo për mënyrën e trajtimit të myslimanëve ujgurë në provincën Xinjiang, shtypjen e demokracisë, lirive në Hong Kong dhe shtypjen e Tibetit.

Bojkoti e ka vendosur Japoninë, aleatin kyç të SHBA-ve, në një pozitë të vështirë, dy muaj përpara hapjes së Lojërave.

Japonia ka lidhje të thella ekonomike me Kinën – partneri i saj më i madh tregtar – dhe nuk do të duket se e kundërshton Pekinin, përpara 50-vjetorit të normalizimit të marrëdhënieve diplomatike vitin e ardhshëm.

Për më tepër, zyrtarët kinezë mbështetën vendimin për të vazhduar me Lojërat Olimpike të kësaj vere në Tokio, pavarësisht kundërshtimit të gjerë publik për shkak të frikës ndaj coronavirus-it.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha këtë javë se vendi i tij nuk do t’i bashkohej bojkotit, duke i përshkruar Lojërat – të cilat zhvillohen nga 4-20 shkurt – si “pozitive” për marrëdhëniet e Seulit me Pekinin.

Wang Wenbin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, përshëndeti njoftimin e Moon, por paralajmëroi Japoninë se “politizimi i sportit është në kundërshtim me frymën e kartës olimpike”.

Në një shkëputje me vendet e tjera të G7, Franca, e cila do të presë Lojërat Verore të 2024, ka thënë se do të dërgojë zyrtarë të nivelit të lartë në Pekin.

Marrë nga ‘The Guardian’, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore