Lajme

Edhe 4 vite të tjera burg për Aung San Suu Kyi


Një gjykatë në Myanmar ka dënuar lideren e rrëzuar, Aung San Suu Kyi, me katër vite të tjera burg.

Ajo u dënua për posedim dhe import të paligjshëm të telekomandave dhe shkelje të rregullave të COVID-19.

Suu Kyi u dënua për herë të parë në dhjetor dhe iu dha një dënim i reduktuar me dy vjet burg.

Ajo është arrestuar që nga një grusht shteti ushtarak shkurtin e kaluar dhe përballet me disa akuza, të cilat ajo i mohon të gjitha.

Besohet se akuzat e së hënës burojnë nga koha kur ushtarët të udhëhequr nga gjenerali Min Aung Hlaing, kontrolluan shtëpinë e saj, dhe deklaruan se gjetën pajisjet.

Gjyqi i së hënës në kryeqytet, Nay Pyi Taw, ishte i mbyllur për mediat dhe avokatët e Suu Kyi janë ndaluar të komunikojnë me median dhe publikun.

Dënimi i fundit do ta çojë totalin e saj në gjashtë vjet burg.

Muajin e kaluar laureatja e Nobelit u shpall fajtore për nxitje të mospajtimit dhe thyerje të rregullave të Covid-19, në atë që u dënua si një “gjyq i rremë” nga shefja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet.

Human Rights Watch i quajti procedurat ligjore një “cirk gjykate të procedurave sekrete mbi akuza fals në mënyrë që Aung San Suu Kyi të qëndrojë në burg për një kohë të pacaktuar”.

Marrja e pushtetit nga ushtria në Myanmar, i quajtur edhe Burma, shkurtin e kaluar erdhi disa muaj pasi Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) e Suu Kyi fitoi zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit 2020.

Ushtria pretendoi për mashtrim të votuesve në fitore, megjithatë vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve kanë thënë se zgjedhjet ishin kryesisht të lira dhe të ndershme.

Grushti i shtetit shkaktoi demonstrata të gjera dhe ushtria e Myanmar-it ka goditur protestuesit pro-demokracisë, aktivistët dhe gazetarët.

Suu Kyi është një nga më shumë se 10 mijë e 600 personat që janë arrestuar nga junta që nga shkurti, dhe të paktën 1 mijë e 303 të tjerë të vrarë në demonstrata, sipas grupit të monitorimit të Asistencës për të Burgosurit Politik.

Besohet se nëse shpallet fajtore për të gjitha akuzat me të cilat përballet, Suu Kyi mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore