Lajme

E shtuna tragjike, një i vrarë me thikë në Gjilan – tre të tjerë vdesin pasi u goditën nga një veturë që bënte gara në autostradë


Tre personat kanë vdekur të shtunën në autostradën “Ibrahim Rugova”, në Prizren dhe tre të tjerë u lënduan pasi një shofer humbi kontrollin e veturës me të cilën po bënte gara.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij tre trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu organet e rendit kanë njoftuar se një person ka vdekur pasi është therur me thikë në fshatin Dobërçan të Gjilanit, derisa i dyshuari është prangosur.

“Viktima është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima është pa shenja jete”.

“Njësitet policore relevante së bashku me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku aktualisht janë duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë rast”.

Ndërkaq në Fushë Kosovë ka pasur të shtëna me armë në rrugën “Dardania” dhe është arrestuar i dyshuari i cili sipas Policisë, pas një mosmarrëveshje me dy persona ka shtënë me armë zjarri në afërsi të tyre.

“Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë dhe një predhë të fishekut, ndërsa i dyshuari ka dorëzuar një pistoletë e cila dyshohet se është përdorur”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore