Shqipëria

E përkohshmja, që u bë e përhershme


Tirana si kryeqendër e Shqipërisë, ishte një zgjedhje e përkohshme por që u bë e përhershme.

Data shënonte 11 shkurt 1920.

Zyrtarisht, Tirana do të bëhej kryeqytet i Shqipërisë me vendim të Kongresit të Lushnjës.

Vendimi ishte përzgjedhja e një kryeqyteti të përkohshëm, pasi kryeqyteti i vërtetë i asaj kohe ishte Durrësi.

Por qyteti bregdetar ishte i pushtuar nga italianët, kështu që qeveria nuk mund të qëndronte aty.

Një tjetër version ishte Vlora, e cila ishte kryeqyteti i parë i Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë së vendit nga Ismail Bej Vlora në vitin 1912.

Por Vlora ishte shumë larg nga veriu i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Versioni tjetër ishte Shkodra, e cila ishte qyteti më i madh i asaj kohe, por ishte shumë afër me Malin e Zi dhe larg pjesës tjetër të Shqipërisë.

U mor vendimi unanim që Tirana të jetë kryeqytet i Shqipërisë, veçanërisht për pozicionin e saj në qendër të vendit.

Në fakt Tirana ka qenë gjithmonë në pozicionin e përsosur strategjik, një qytet ku kryqëzoheshin rrugët më të mëdha që në lashtësi.

Rruga nga Dalmacia nga Ulqini në Shkodër, Lezhë dhe shkon në lindje të vendit duke kaluar Tiranën, përmes Qafë-Krrabës dhe Elbasanit.

Një tjetër rrugë, Via Egnatia lidhte të gjitha qytetet qendrore të Shqipërisë dhe drejtohej në Manastir, Selanik, Stamboll.

Tirana ishte udhëkryqi për të lidhur veriun e vendit me detin, nëpërmjet Shen Gjergjit.

Një tjetër rrugë e vjetër lidhte Kavajën me Ndroqin, Urën e Beshirit dhe hynte në Tiranë, më pas në Rrugën e Dibrës, Qafën e Tujanit, Mat-Dibër dhe shkonte në Maqedoninë e Veriut.

Po të shohësh këto tre rrugë të vjetra ato janë kaluar në Tiranë, në sheshin Skënderbej. Prandaj Tirana e meritoi emrin si kryeqytet i Shqipërisë.

Në këtë ditë, 11 shkurt 1920, në Tiranë mbërriti e gjithë qeveria shqiptare e kryesuar nga Sulejman Delvina.

Ai u vendos në pallatin e vendosur në hyrje të rrugës së Elbasanit.

Qeveria u prit ngrohtësisht nga qytetarët e Tiranës, të cilët u ndjenë krenarë që e bënë Tiranën kryeqytet të Shqipërisë.

Profesor Kristo Frasheri kujton atë kohë në një nga librat e tij, një pyetje e bërë në Kongres të Lushnjës për Tiranën.

“A ka Tirana godina për qeveritë dhe institucionet e tjera? Delegatët e Tiranës u përgjigjën: Nëse nuk kemi, i ndërtojmë”.

Tirana u konfirmua përfundimisht si Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925.

Në vitin 1923 u përpilua plani i parë rregullues i qytetit nga arkitektë austriakë.

Më pas qyteti mori formën e vërtetë të një kryeqyteti të bukur në periudhën e pushtimit italian, përmes një projekti të Florestano Di Fausto dhe Armando Brasini, arkitektë të njohur të periudhës së Benito Musolini-t në Itali.

Brasini hodhi bazën për rregullimin modern të ndërtesave ministrore në qendër të qytetit, shumica e të cilave mbeten po aty sot e kësaj dite.

Përmes një statusi, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka kremtuar pikërisht 103-vjetorin e Tiranës si kryeqytet.

“Tirana feston sot 103-vjetorin e shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë. Mirënjohje  për ata që, në këto vite, kanë kontribuar për ta zhvilluar Tiranën në një qytet modern e të denjë për të gjithë shqiptarët. Gëzuar!”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore