Lajme

E djathta franceze voton kundër propozimit për ta bërë abortin një të drejtë kushtetuese


Qeveria franceze është e gatshme të sanksionojë abortin si një të drejtë kushtetuese teksa senati i dominuar nga e djathta votoi kundër përpjekjes së parë të së majtës për një propozim.

Disa parti politike të atjeshme nisën të ushtronin presion që të drejtat e abortit të regjistroheshin në Kushtetutë pas vendimit të Gjykatës Supreme amerikane në qershor për të përmbysur vendimin historik Roe kundër Wade.

Ky i fundit ka njohur të drejtën kushtetuese të gruas për të kryer abort, duke e legalizuar atë në mbarë vendin.

Muajin e ardhshëm janë planifikuar të paraqiten dy propozime që Franca t’i japë mbrojtje të paprecedentë kushtetuese për të drejtën e abortit përpara Asamblesë Kombëtare, Dhomës së Ulët të Parlamentit.

Por senatorët e djathtë nga partia Républicains votuan kundër përpjekjes së parë për një propozim në senat të mërkurën. Herë pas here, debati ishte i nxehtë.

Stéphane Ravier, i cili u largua nga Rassemblement National e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen për t’u bashkuar me partinë Reconquête të udhëhequr nga Éric Zemmour, ka thënë se propozimi ishte një sulm ndaj jetës.

Kurse ministri i Drejtësisë, Éric Dupond-Moretti, iu kundërpërgjigj duke i thënë se qeveria do të mbështesë të gjitha propozimet parlamentare për ta bërë abortin një të drejtë kushtetuese.

Mélanie Vogel, një senatore për partinë franceze të gjelbër, Europe Écologie-Les Verts (EELV), e cila është autore e propozimit, ka thënë se nevoja për të mbrojtur abortin nuk është vetëm një reagim ndaj kërcënimit ndaj të drejtave të abortit në SHBA.

“Kjo ka të bëjë gjithashtu me Evropën. Nëse Franca e garanton abortin si një të drejtë kushtetuese, kjo do të dërgonte një mesazh shumë të fortë për të gjitha lëvizjet feministe në mbarë botën, të cilat ose po luftojnë për këtë të drejtë ose për të ndaluar mohimin e saj”, ka thënë ajo.

Po ashtu do të tregonte se një rrugë progresi është e mundur, sipas saj.

Sakaq, sanksionimi i të drejtës së abortit në Kushtetutë shihet si një mënyrë  për të mbrojtur ligjin që dekriminalizoi abortin në Francë në vitin 1975.

Nëse qeveria mbështet një projektligj, do të duhet një hartim dhe miratim i kujdesshëm nga të dyja dhomat e parlamentit për të shmangur vendosjen në referendum.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore