Lajme

E dëgjoi Beethoven-in në moshën tre vjeçare dhe violina u bë fati i tij


Ai është thjesht mjeshtër.

Vendi i tij magjik dhe një nga arsyet pse Firence është bërë qyteti i tij i dytë pas Londrës, është Santa Croce, veçanërisht jashtë sezonit, pa turistë, në muzg ose në heshtjen e natës.

Aty, maestro Charlie Siem kalon orë të tëra pa e kuptuar. Diçka që nuk i ndodh në asnjë vend tjetër.

Në moshën 36-vjeçare ai nuk është më fenomeni i ri që del nga Kolegji Mbretëror i Muzikës, por një nga violinistët më të suksesshëm të brezit të ri.

E vetmja herë kur me ngrohtësi dhe mirësjellje të madhe tërhiqet në vetvete është kur e pyesin për sekretet e asaj violine të çmuar, për misterin e tingullit të saj tronditës.

Siem, i cili është shumë i pashëm, duke sfiduar konvencionet e botës disi të vjetëruar të klasikes është gjithashtu një model për Armani-n, Dior-in, Dunhill-in.

Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana, të magjepsur nga tingulli i violinës së tij, e ftuan vite më parë për një recital në Londër në butikun e tyre.

“Ka nga ata që bëhen muzikantë sepse vokacioni i tyre vjen nga dëgjimi i një simfonie, një opere ose nga pasioni për një kompozitor”, ka treguar ai.

Është një bethovenian absolut.

“Në njëfarë kuptimi atipik. Sepse është e vërtetë që për mua nuk ka asnjë kompozitor si Beethoven, që ka ndikuar në një mënyrë apo në një tjetër te bashkëkohësit”, ka thënë ai.

Madje, për të kjo është e vërtetë edhe për ata që erdhën pas tij.

Por ai nuk u bë violinist thjesht për të luajtur violinë.

“U bëra violinist kur isha fëmijë, maksimumi tre, katër vjeç, dëgjova koncertin e Bethoven-it për violinë dhe orkestër. Faleminderit prindërve të mi, të cilët mendonin se muzika klasike ishte terapeutike për mua dhe motrat e mia dhe na bënë ta dëgjonim rregullisht”.

Ata nuk donin të rrisnin virtuozë të rinj.

Nuk mendonin se muzika mund të bëhej karriera profesionale e fëmijëve të tyre dhe kishin disi “frikë” nga historitë që dëgjonin për jetën e tmerrshme të fëmijëve të virtytshëm të detyruar në rutina shumë të vështira.

Për Siem-in ishte e natyrshme.

“Kur të rritem dua të luaj atë koncert, e vendosa në atë moment. Pjesa tjetër erdhi si rezultat. Në një mënyrë shumë reale, u bëra violiniste për të luajtur atë koncert dhe kaq. Pjesa tjetër erdhi më vonë, si rezultat”.

Tani, dashuria e pafundme për koncertin me violinë dhe orkestër, e ka çuar atë të ngjitej në atë muzikal në Everest duke e regjistruar në CD me Filharmoninë e Londrës me regji të Oleg Caetani.

Ka pasur momente të vështirësisë teknike thuajse të pakapërcyeshme. Është si një lojë video në nivelin më të lartë të vështirësisë.

“Po, koncerti që u realizua ishte më i madhi ndonjëherë që nga debutimi i tij në vitin 1806. Nuk do të kishte kuptim të mendoni se meqenëse kemi Haifetz-in dhe Oistrach-un, mund të ndalemi me kaq dhe mund ta arkivojmë këtë koncert të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.

Për maestron, muzika e Bethoven-it është e gjallë dhe luajtja në violinë e atyre melodive ishte magjike.

“Është një përvojë emocionale dhe e thellë: ka gjithmonë diçka nën sipërfaqe që ne përpiqemi të zbulojmë, secila në mënyrën e vet. Për mua është një ëndërr e realizuar. Ëndrra ime si fëmijë”.

Njëherazi ka qenë edhe sfiduese sepse “thjeshtësia e dukshme e disa arpezheve është në fakt një sofistikim dhe saktësi e pafund”.

Por ai i mbetet besnik idesë se gjithçka ndodh për një arsye.

“Ky koncert jo vetëm që ndryshoi jetën time: ai formoi botëkuptimin tim. Do të më pëlqente nëse kjo CD do t’i ndihmonte të tjerët të zbulonin Beethoven-in”.

Për Siem-in ai është kompozitor absolut.

Ai nuk ndan shkollën e mendimit të atyre që e shohin performancën e veprave më të rëndësishme të gjigantëve të muzikës si trashëgimi të moshës së pjekur të mjeshtreve.

“Është e vështirë të argumentohet se vetëm dirigjentët dhe muzikantët mbi 40 ose mbi 50 vjeç kanë bagazh të mjaftueshëm”, ka dalluar ai.

E sheh më tepër si [çështje studimi, zbatimi, mbi të gjitha përbashkimi në frymën mes kompozitorit dhe interpretuesit.

“Kurrë nuk do të jem Heifetz apo Milstein, kjo është në rregull, askush nuk do të jetë në gjendje t’i imitojë ata, do të ishte një çmenduri e pastër, ne vetëm mund t’i dëgjojmë”.

Luajtja në violinë për maestron është pothuajse një përvojë fetare. “Me violinën time përftoj kuptimin e së shenjtës”.

Por në vend të kësaj, ai dallon se mediat sociale përfaqësojnë sipërfaqen.

“Unë shkruaj letra dhe marrja e një shënimi ka një efekt të jashtëzakonshëm sot kur jemi kaq të llastuar dhe të kushtëzuar nga teknologjia”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore