Lajme

E akuzoi për korrupsion, Haziri për AP: Gjilani s’ka kryetar, akuzat e Hysenit vijnë nga “padija e paaftësia”


Lutfi Haziri

Këtë të marte, përmes një konference për media, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka akuzuar ish-kryetarin e kësaj komune, Lutfi Haziri, për keqpërdorim dhe keqmenaxhim të pasurisë publike.

Mirëpo, në një prononcim për Albanian Post, Lutfi Haziri u shpreh se këto akuza nuk kanë të bëjnë fare me të, paçka se tha se nuk i ka parë ende të tëra.

“Nuk e kam parë ende se për çka më ka akuzuar, por nuk ka të bëjë as me mua dhe as me qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Haziri për AP.

Hyseni renditi “tri raste të keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit”, të cilat ai pretendon se kanë ndodhur gjatë kohës së qeverisjes së Hazirit, por sipas këtij të fundit, këto akuza “kanë të bëjë me zhvillimet, pra që ai [Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni] duhet të garantoj qeverisje të mirë”.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ndër të tjera tha se faktikisht kryetari Hyseni është duke u marr me çështje që datojnë prej vitit 2022, pa e specifikuar se për çfarë çështje bëhet fjalë.

“Për më shumë dega e LDK-së në Gjilan do të reagojë”, tha shkurt Haziri, teksa shtoi se akuzat në drejtim të qeverisjes së tij vijnë si pasojë e “mospunës dhe neglizhencës”, sepse siç vlerësoi ai, “padija e paaftësia për të menaxhuar me politika zhvillimore, mungesa e vizionit, dhe pakënaqësia e qytetarëve në Gjilan tani është në kulm”.

“Tendenca për ta mbuluar me të kaluarën dhe me gjetje që i kanë dalë gjatë qeverisjes së tij është tregues që Gjilani tani është në depresion zhvillimor dhe është pa kryetar fatkeqësisht”, deklaroi Haziri për AP.

Ndërkaq, ai nuk foli gjatë për hapat që do të ndërmerr për ta adresuar këtë çështje, por deklaroi se “ne, natyrisht besojmë në drejtësi dhe besojmë që deklaratat politike nuk mund të prodhojnë asgjë tjetër, pos fjalëve të kota në këtë proces”.

Ndryshe, kryetari i Gjilanit nga radhët e Vetëvendosjes e akuzoi ish kryetarin e Gjilanit nga radhët e LDK-së, për tri raste të keqpërdorimit dhe keq menaxhim të fondeve publike.

Si rast të parë, ai ka përmendur rastin e QKMF-së në Gjilan, ku pretendon se ka dallim mes faturave të paraqitura dhe inventarit që gjendet aktualisht në QKMF.

“Kemi të bëjmë me shpronësimin e tokave nga komuna e Gjilanit dhe organi shpronësues, që në këtë rast është Kryetari i Komunës. Nga 26 milionë euro që është vlera totale e borxheve të trashëguara, vetëm në shpronësim, i kemi gjithsej 11 milionë euro”, thotë Hyseni ndër të tjera për rastin e dytë.

Ndërkaq, edhe akuza për rastin e tretë është e ngjashme me atë të dytën, pra lidhet me shpronësimet.

“Sipas vlerësimit në ueb faqen zyrtare te Ministrisë së Financave, vlera e tokës në po këtë zonë është 200 euro për metër katror. Ndërkohë që, shpronësimi i këtyre tokave, nga komuna e Gjilanit është realizuar në vlerën prej 520 euro për metër katror. Vlera totale e shpronësimit, për 30 ari e 57 metër, komunës së Gjilanit i kanë kushtuar plot 1,589,640 euro”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore