Lajme

Dyshohet se ra nga kati i 5-të i banesës ish-asamblistja e PDK-së në Gjilan


Ilustrim

Në orët e hershme të mëngjesit është gjetur pa shenja jete një grua në Gjilan.

Albanian Post mëson se bëhet fjalë për ish-asamblisten e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Arzie Nuhiu.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, konfirmoi për AP se rasti ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit.

“Sot më 21 korrik, rreth orës 03:50 të mëngjesit, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar informatën se në rrugën ‘Raif Halimi’, në pjesën e pasme të njërës nga ndërtesat në këtë rrugë është vërejt një trup i personit të gjinisë femërore. Njësitet policore nga stacioni policor i Gjilanit me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes”.

Hashani bëri të ditur se “më pas nga familjarët është identifikuar se bëhet fjalë për A.N (1977) femër shtetase e Kosovës, që ishte duke banuar në katin e pestë të ndërtesës në këtë rrugë”, tha ai.

Ai deklaroi se “dyshimet fillestare janë se e njëjta ka rënë nga ballkoni i banesës së saj ku ishte duke jetuar”.

“Në vendngjarje ka prezantuar shërbimi Emergjent (ndihma e parë) ku nga mjeku kujdestar i kësaj njësie është konstatuar vdekja. Në vendngjarje ka prezantuar prokurori i shtetit për ‘Krime të Rënda’, njësitet e hetimeve dhe forenzikës rajonale”, tha Hashani.

Po ashtu, prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore – Prishtinë.

“Rrethanat dhe motivet se si ka ndodh ky rast i rëndë ende nuk dihen”.

Hashani pohoi se rasti për momentin është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe hetimet e mëtejme është duke i udhëhequr Policia e Kosovës njësitet e hetimeve Rajonale në koordinim me Prokurorin e shtetit.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ngushëlluar familjen e Arzie Nuhiut përmes një telegrami.

“Me dhimbje morëm lajmin për vdekjen tragjike të aktivistes së Gruas Demokratike dhe degës së PDK-së në Gjilan, Arzie Nuhiu”, thuhet në telegramin e PDK-së.

PDK tutje në këtë telegram është shprehur se, “Aktiviste e devotshme dhe e përkushtuar, dashamirëse dhe punëtore. Të tillë do ta kujtojmë gjithmonë Arzien, e cila dha kontribut të madh edhe gjatë periudhës së angazhimit si asambliste e PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Nuhiu, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Arzies. Dritë pastë shpirti i saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore