Sport

Dybala nuk do të rinovojë me Juventus-in


Çështja e rinovimit të kontratës së Paolo Dybala-s me Juventus-in, ka qenë një nga temat më të përfolura në ditët e fundit në futbollin italian dhe jo vetëm.

Palët nuk po arrijnë të merren vesh për vazhdimin e kontratës, e cila u skadon në qershorin e ardhshëm.

Sipas asaj që raporton gazetari i afërt me klubin e Juventus-it, Romeo Agresti, argjentinasi nuk do të rinovojë kontratën me “zonjën e vjetër”.

Drejtori ekzekutiv i bardhezinjve, Maurizio Arrivabene dhe drejtori sportiv, Federico Cherubini i kanë ofruar kontratë për tre vitet e ardhshme, me pagë 7 milionë euro në sezon, plus bonuse.

Por sipas mediave italiane ky opsion nuk është pranuar nga ana e argjentinasit, i cili pritet të largohet nga Torino.

Nga kjo mosmarrëveshje nga ana e tyre, kërkon që të përfitojë skuadra e Inter-it, të cilët synojnë ta transferojnë Dybala-n me parametra zero.

Sipas “La Gazzetta dello Sport” drejtori sportiv i Inter-it, Beppe Marota, pritet të takohet me agjentin e futbollistit për të tentuar ndonjë marrëveshje që Dybala të vishet zikaltër nga sezoni i ardhshëm.

Kujtojmë që Paolo Dybala është pjesë e skuadrës së Juventus-it që nga vera e vitit 2015, kur u transferua nga Palermo për shumën e 41 milionë eurove.

Ai në total ka zhvilluar 283 ndeshje me fanellën bardhezi, prej të cilave ka shënuar 113 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore