Sport

Dybala flet për herë të parë si futbollist i Romës


Transferimi më i fundit i Romës, Paolo Dybala, ka folur për herë të parë që prej zbarkimit në ekipin e kryeqytetit italian.

Argjentinasi zbuloi bisedën me trajnerin e Romës, Jose Mourinho-n, ndërsa foli edhe për të ardhmen me skuadrën e tij të re.

“Si fillim është shpejtë të flasim për titullin kampion, por ka një dëshirë të madhe nga të gjithë për të bërë maksimumin”, tha Dybala.

“Roma fitoi një trofe shumë të rëndësishëm siç është ai i Ligës së Konferencës dhe ka ambicie për më shumë, skuadra është rritur me trajnerin dhe me lojtarët që ka në përbërje”, shtoi ai.

“Objektivi jonë është të fitojmë çdo ndeshje dhe për momentin disa skuadra janë para nesh sa i takon mundësisë për të fituar titullin”, shtoi argjentinasi.

Që nga përfundimi i kontratës me Juventus-in, Dybala ishte i lidhur shumë me një transferim tek Inter, por kjo gjë nuk ndodhi.

“Unë nuk ndjehem i tradhtuar nga Inter, prej momentit kur u shkëputa nga Juventus, mediat kanë folur për disa skuadra më shumë se për të tjerat”, tha Dyabala.

“Unë kam një raport të bukur me Marotta-n, por në momentin që takova Tiago Pinton e Romës në Torino, gjithçka ndryshoi”, shoti ai duke folur për takimin me drejtorin sportiv të Romës.

Dybala foli më tej edhe për trajnerin e Romës, për të cilin tha: “Pyetja e parë që i kam bërë Mourinho-s është se çfarë mund të fitojmë”.

“Mua më pëlqen të fitoj, në stërvitje shoh përgjegjësinë e trajnerit dhe besimin e djemve ndërsa jemi ende në njohje me njëri-tjetrin. Këto gjëra janë të rëndësishme për të mbërritur te një objektiv, do të jap gjithçka që të vazhdoj të fitoj”, tha mes tjerash Paolo Dybala.

Kujtojmë që argjentinasi luajti për shtatë vite në Juventus, derisa nuk arriti marrëveshje për vazhdimin e kontratës dhe u bashkua me Romën si futbollist i lirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore