Lajme

Dy të dyshuarve për shembjen e çatisë së Komunës së Prishtinës u caktohet masë e sigurisë dhe arrest shtëpiak


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi të mërkurën masën e arrestit shtëpiak prej 1 muaji (30 ditë) ndaj të dyshuarit për shkaktim të rrezikut të përgjitshëm, Bekim Baftjaraj, person përgjegjës i kompanisë punuese, për rastin e shembjes së çatisë së ndërtesës së Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” më 18 janar, ku për pasojë u lëndua rëndë një kalimtare 23-vjeçare.

Ndërkaq, ndaj zyrtarit të komunës të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Ylber Jashari, gjykata aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar – atij i është ndaluar rreptësisht qasja në zyret apo ndërtesën e Komunës së Prishtinës dhe kontakti me punonjësit e komunës.

Më 18 janar, çatia e objektit të komunës u shemb për shkak të erërave të forta, siç është thënë në fillim nga organet kompetente. Nga ky incident u lëndua një 23-vjeçare, ndërsa gjendja shëndetësore e saj vazhdon të jetë e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Viktima vazhdon të jetë nën kujdes intensiv mjekësor në Qendren Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nga Komuna e Prishtinës u prezantua një raport lidhur me rrëzimin e çatisë më 22 janar, ku ekspertët në fushën e ndërtimtarisë të angazhuar nga komuna, gjetën se ka pasur shkelje gjatë ndërtimit të çatisë së ndërtesës së komunës, përkatësisht zbuluan se çatia ishte punuar me materiale tejet të dobëta. Komuna e Prishtinës nuk ka marrë përgjegjësi politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore