Shqipëria

“Dy republika, një komb”, Kurti bënë bilancin e “sukseseve” me Shqipërinë


Albin Kurti dhe Edi Rama

Ndonëse është kritikuar se është kryeministri që i ka acaruar dhe i ka sjellë në nivelin më të ulët marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, Albin Kurti e ka konsideruar si shumë të suksesshëm avancimin e raporteve në mes të dy vendeve përgjatë këtyre 2 viteve e gjysmë, pra gjatë kohës së tij në krye të ekzekutivit kosovar.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti për të mos e përmendur emrin e Kosovës dhe Shqipërisë, zgjodhi frazën që tash e një kohë po e thekson; “dy republika, një komb”, teksa shtoi se “dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë”.

“Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë duke funksionalizuar 26 vendkalime të veçanta. Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare. Aktualisht jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit”, shkroi.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, “lehtësuam edhe qëndrim te njëri dhe tjetri shtet, sepse thjeshtuam procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5 vjeçar”. “Hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative”.

Tutje, ai shtoi se me dy zyrat doganore të Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, është fituar qasja në det.

“Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Kjo u ka ndihmuar drejtpërdrejt bizneseve tona që tashmë kanë kursyer nëntë milionë euro, në të njëjtën kohë që edhe ekonomia e Shqipërisë ka përfituar nga rritje me 50% e dërgesave të Kosovës përmes Portit të Durrësit”, vlerësoi.

Ndërkaq, Kurti pohoi se këtë vit shkëmbimet tregtare në mes të dy vendeve janë “më të lartat ndonjëherë”, ndonëse ka edhe tre muaj deri në fund të vitit.

“Investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë. Në vitin 2019, ato ishin vetëm 15.2 milion euro, kurse në vitin 2022, u pesëfishuan duke arritur vlerë 79.7 milionë euro”.

Gjithashtu, ai përmendi edhe marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, për të cilën tha se “është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik ashtu edhe kombëtar”.

“Ajo do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojnë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne. Do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona”.

Përveç unifikimit të abetares, Kurti përmendi edhe njësimin e proceduarve për aplikim dhe regjistrim të studentëve në universitete, “si dhe nisëm punën madhore për Enciklopedinë Shqiptare”.

“Shumë është bërë”, sipas tij, por “edhe më shumë duhet bërë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore