Muzikë

Dy realitetet e Tedi Papavramit


Ai lindi në një familje me pasion muzikën në Tiranën e vitit 1971.

U kujdes nga babi i tij, një mësues i njohur violine.

Ishte një nxënës i përgatitur që mori një bursë nga Qeveria franceze për të studiuar në Konservatorin e Parisit nën Pierre Amoyal.

Ai interpretoi Paganinin në një moshë relativisht të re dhe fitoi konkursin e tij të parë ndërkombëtar, çmimin Rodolfo Lipizer, në Itali në 1985.

Kjo mund të duket si një trajektore normale për një muzikant të ri që po rritet me shpejtësi.

Kështu e nis rrëfimin për violinistin shqiptar, Tedi Papavrami, gazeta e përditshme irlandeze “Irish Times”, e cila sjell në vëmendje se përpos talentit, realiteti i Papavramit asokohe ishte krejt ndryshe.

Shqipëria në të cilën ai lindi ishte një vend politikisht i izoluar komunist, i cili në vitet 1960 ishte distancuar nga Bashkimi Sovjetik edhe dhe vendet e Traktatit të Varshavës.

Bursa franceze iu dha Papavramit 9-vjeçar me sugjerimin e flautistit francez, Alain Marion.

Por askush në korridoret e pushtetit në Tiranë nuk mundi të autorizonte zhvendosjen e djalit në atë që konsiderohej si një vend i korruptuar, kapitalist.

Më në fund e mori pas dy vitesh, kur diktatori Enver Hoxha bëri një ndërhyrje personale.

“Ishte i vetmi që mund të merrte vendimin”, shpjegon Papavrami.

Fillimisht e dërguan në Paris, për të jetuar me një familje shqiptare, por më vonë, për t’ia lehtësuar stresin, u lejua që t’i bashkohej edhe nëna e tij.

Vetëm një prind në të njëjtën kohë lejohej të largohej nga Shqipëria, tjetri mbeti si një lloj pengu kundër dezertimit.

Suksesi i tij në konkursin italian – i cili ndodhi në vitin kur Hoxha vdiq – krijoi një bujë të madhe.

Aq sa babai i tij u lejua që të bashkohej me nënën dhe djalin në kryeqytetin francez.

Por familja e kishte menduar tashmë se si mund ta shpëtonte babanë, përfshirë idenë për të notuar drejt Greqisë.

Vendimi i tyre për të qëndruar në Francë krijoi një skandal me pasoja të mëdha në vend.

Dajat dhe hallat e Papavramit u mblodhën natën te shtëpia ku ata jetonin dhe shtëpia e gjyshërve të tyre, u rrafshua.

Ata u zhvendosën në fshatra të largëta – kush kishte lidhje me veriun u soll në jug dhe anasjelltas – u dërguan të punonin në miniera dhe u detyruan, nën dënimin me vdekje, të raportonin në polici tre herë në ditë.

Papavrami ishte vetëm 15 vjeç në kohën kur babai i tij zgjodhi të qëndronte në Francë dhe, “muzika e violina ishin pasionet dhe paqja ime”.

“Por në të njëjtën kohë, do të kishte qenë shumë e vështirë për mua që në atë moment të thoja: Oh, violina nuk është për mua”.

Është pak e vështirë të ndash zgjedhjen dhe fatin në atë rast.

Violina ishte vërtet diçka shumë e thellë për të.

Dhe, më në fund, ndoshta ishte ajo që më shpëtoi.

Ai e përshkruan të atin si “një personalitet shumë të fortë me një sens shumë të mirë të mësimdhënies së violinës, diçka shumë e veçantë”.

Papavrami i moshuari ishte pro vazhdimit të qasjes ruse ndaj shkollimit muzikor në Shqipëri.

“Ai kuptoi një gjë, e cila është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar, se violina duhet mësuar shumë herët dhe shumë intensivisht nëse do të kesh rezultate të mira si i rritur”.

Të dy ata kanë një farë ambivalence për Francën.

Babai dikur tha se “Shqipëria është një ferr i gëzueshëm, Franca është një parajsë e trishtuar”.

Por i biri kujton gjithashtu se Francën e gjeti fillimisht “sterile, si spital”.

“Francezët janë kaq të sjellshëm” – demonstron ai me një varg përshëndetjesh dhe përgjigjesh në frëngjisht.

Njohja e tij ndaj kësaj gjuhe është mjaft e mirë, saqë ai ka përkthyer në frëngjisht romane të shumëfishtë të nominuar për çmimin Nobel të Ismail Kadaresë.

Ai ka botuar gjithashtu një autobiografi, Fugue Pour Violon Seul, në frëngjisht, e cila përfshin një fotografi të tij të vitit 1983 duke qëndruar pranë Enver Hoxhë të ulur, me një statujë të Karl Marksit në sfond.

Bota e tij personale si djalë në Shqipëri nuk ishte aq e kufizuar sa mund të mendoni.

Ai kishte një gjysh të shkolluar në Greqi (Selanik), SHBA (Harvard) dhe Paris (Sorbonë) dhe që ishte një dermatolog i suksesshëm.

Ishte martuar dhe vendosur në Shqipëri para ardhjes së sundimit komunist dhe për Papavramin gjyshi përfaqësonte një dritare e rëndësishme drejt botës së jashtme.

Ishte një botë e jashtme që ai pa, e ngjyrosur nga filmat e Charlie Chaplin, filmat francezë me Jean Marais dhe shumë lexime – Zhyl Verni, Victor Hugo, Jack London dhe Mark Twain.

“Kam vetëm kujtime të mira nga kjo periudhë”, thotë ai.

Muzikalisht, krahas pjesëve virtuoze që zotëroi aq herët në Shqipëri, ai studioi edhe Bach-in dhe interpretoi në Koncertin e Violinës së Dyfishtë në moshën 6-vjeçare.

Ai dëgjoi regjistrimet e Jascha Heifetz, Ivry Gitlis, Julian Sitkovetsky, David Oistrakh, Leonid Kogan dhe “thjesht u përpoq t’i imitonte ato”.

Pasi doli nga Shqipëria, sfidat e tij ishin të “stabilizohej” dhe t’i kushtonte më shumë vëmendje intonacionit dhe sigurisë.

Siç thotë ai, “kishte nevojë të rritej” dhe të “mësonte stilin” sepse ai kishte “punuar vetëm me instinkt”.

Recitali i tij i ardhshëm solo për Music for Galway përqendrohet në vetëm dy kompozitorë, Johann Sebastian Bach dhe Eugène Ysaÿe.

Bach u bë shumë i rëndësishëm për Papavramin kur ishte rreth 15 vjeç, por stili i tij i të luajturit ka ndryshuar rrënjësisht me kalimin e kohës për shkak të ndikimit të zhvillimeve në stilin e interpretimit barok.

Ai është një nga ata muzikantë që luan Bach çdo ditë.

Kompleti i sonatave solo të Ysaÿe u kompozua në vitin 1923.

Secila prej tyre i kushtohet një violinisti të shquar dhe bazohet në karakterin muzikor të përkushtuarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore