Lajme

Dy adoleshentë iranianë do të dënohen me vdekje, sepse morën pjesë në protesta


Një vajzë 17-vjeçare dhe një djalë 15-vjeçar, janë në prag të të përballurit me dënimin me vdekje në Iran, pas pjesëmarrjes në protestat e ashpra në gjithë vendin, si pasojë e vdekjes së një vazje 22-vjeçare kurdë, Mahsa Amini, e cila u dhunua barbarisht nga Policia e Moralit iraniane, për shkak se nuk kishte veshur si duhej shaminë dhe më pas ndërroi jetë dy ditë më vonë në spital.

Kështu, sipas agjencive të pavarura që operojnë në Teheran, Sonia Sharifi, 17 vjeçe dhe Amir Hossein Rahimi, 15 vjeç, me shumë gjasë do të dënohen me vdekje nga regjimi iranian, vetëm për faktin se kanë qenë të pranishëm në protestat, ku qindra persona humbën jetën.

Prej tyre, pati si qytetarë, ashtu edhe efektivë policie, me këta të fundit më të pakët në numër.

Nëse ky lajm vërtetohet, atëherë regjimi iranian i Ayatollah Ali Khamenei, do të kryejë edhe një ndër shkeljet më flagrante ligjore në histori, duke dënuar me vdekje dy persona jo madhorë në moshë.

Pak ditë më parë, i pari i ekzekutuar si pjesëmarrës në protesta, ishte Mohsen Shekari, një 23-vjeçar, i cili u var në mënyrë demonstrative në mes të kryeqytetit të Republikës Islamike, më 8 dhjetor.

Më pas, një tjetër ekzekutim ndodhi disa ditë më vonë, teksa në “listën e pritjes”, janë edhe 11 persona të tjerë, të cilëve mund t’u shtohen adoleshentët Sharifi dhe Rahimi.

11 të dënuarit me vdekje në Iran në pritje të ekzekutimit

Ngjarje shumë të rënda kanë ato të tre muajve të fundit në Iran, që prej shpërthimit të protestave të përgjakshme me mbi 500 viktima të vërtetuara nga vetë shteti iranian.

Rrëzimi i regjimit dhe tërheqja nga Policia e Moralit, kanë qenë dy sloganet kryesore të protestuesve, të dergjur në rrugët e Iranit.

Raportime ka pasur se grave në demonstrata, u është qëlluar me plumba të vërtetë në pjesë intime të tyre, nga policët e forcave speciale, si ndëshkim për ngritjen e zërit kundër pushtetit të Khameneit.

Ky i fundit, forcat speciale, aktive gjatë protestave, i ka vlerësuar maksimalisht, duke dekoruar policët e vrarë në protesta dhe duke thënë se këta të fundit, e kanë mbrojtur vendin e tyre nga persona të paguar prej Perëndimit, të cilët duan të destabilizojnë Republikën Islamike.

por, sërish, me mbi 10 mijë të arrestuar, situata ka qenë më tepër se kritike në Iran, ku tensionet janë rritur edhe më tej pas nisjes së dënimeve të para me vdekje dhe ekzekutimit të të dënuarve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore