Shqipëria

“Durrës Yachts & Marina” zyrtarizohet me nënshkrimin e memorandumit


Është një prej projekteve më të mëdhenj në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe tashmë ka marrë fytyrë zyrtare për nisjen e punimeve, me nënshkrimin e një memorandumi mes investitorëve me famë botërore, “Eagle Hills Real Estate Development”, përfaqësuar nga zhvilluesi Muhammed Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës.

Prej muajsh, projekti i “megaportit” turistik të Durrësit është përfolur, por zyrtarizimi ndodh vetëm tanimë.

Në bazë të një postimi publik në Facebook të kryeministrit të vendit, Edi Rama, vetë Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin Zayed, ai i cili ka qenë po ashtu i përfshirë në ngritjen e këtij projekti.

Alabbar, njihet edhe si një ndër zhvilluesit më të mëdhenj në botë, pasi ka implementuar me kompaninë Emaar asete të paluajtshme në gjithë botën, ku më i vlerësuari është ai i ndërtesës më të lartë në botë aktualisht, Burj Khalifa.

Vetë biznesmeni Alabbar, e cilësoi projektin e tërë në Durrës, si një investim tërësisht transformues dhe në përmasa të pa para më herët në rajonin e Ballkanit.

Sipas tij, jo vetëm qyteti i Durrësit, por e gjithë Shqipëria do të përfitojë nga një investim i tillë strategjik, me përmasa globale.

Një vlerësim maksimal për projektin e ka bërë edhe kryeministri Rama, i cili duke përmendur vlerën prej 2 miliardë eurosh si total i investimit, theksoi edhe se pa Princin e Kurorës në Emirate, Bin Zayed, asgjë nuk do të ishte e mundur.

Procesin ai e cilësoi si të mundshëm dhe me shumë negociata – plot tre vjet – mirëpo duke qenë se Shqipëria ka qenë e përfshirë në një projekt të tillë për të parën herë në histori, ai i ka nënvizuar si të suksesshme ato dhe frytet do të shihen me implementimin e projektit.

Sipas Ramës, i gjithë rajoni do të jetë përftues i kësaj sipërmarrjeje, duke parë se hyrjet në Shqipëri gjatë sezonit veror janë shumëfishuar dhe atraksioni i projektit të portit të jahteve, do të jetë edhe më i madh për pushuesit.

Nga ana tjetër, me rëndësi mbetet edhe projekti i ri i Portit të ri tregtar të Durrësit, i cili do të zhvendoset në zonën e Porto Romanos.

Ky projekt, do të presë edhe hekurudhën e re Tiranë-Prishtinë, duke krijuar kështu një port të thatë në kryeqytetin e Kosovës dhe duke i dhënë zhvillimin edhe ekonomive të tjera të rajonit.

“Mjafton të shohësh portin e ri të Barcelonës”, tha Rama gjatë fjalës së tij, duke përmendur se si ndryshimi i qyteteve më të mëdha turistike evropiane, ka ardhur pikërisht nëpërmjet proceseve të ngjashëm, si ai që e pret Durrësin.

Ndërsa, disa ndryshime ligjore, priten të ndodhin në Shqipëri pas nënshkrimit të memorandumit të sotëm, duke i hapur rrugë ligjore projektit dhe fillimit të punimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore