Sport

Drejtuesi i Atletico Madrid-it: Super League ishte gabim


Teksa po mbahet Samiti Botëror i Futbollit në stadiumin “Wanda Metropolitano” të Atletico Madrid-it, një prej drejtuesve të klubit, Miguel Angel Gil Marin, ka prekur çështje të ndryshme lidhur me futbollin.

Fokusi i fjalëve të Gil-it ishin efektet e pandemisë, kalendari i ndeshjeve, si dhe Super League.

“Një stadium pa tifozë nuk është një stadium futbolli”, tha Gil, duke iu referuar mbylljes së stadiumeve nga pandemia e koronavirusit.

Më pas ai vijoi të fliste për kalendarin e ngjeshur në futboll dhe përplasjet mes FIFA dhe UEFA. “Një sezon me 55 – 60 ndeshje më duket barbar. Nuk ka kuptim të krijojmë më shumë gara për të pasur më shumë ndeshje dhe për të gjeneruar më shumë të ardhura”, ka shtuar drejtuesi i Atletico-s.

“Në këtë konfrontim të vazhdueshëm midis institucioneve, të vetmit që vuajmë jemi ne, klubet. Ashtu si një baba dhe një nënë grinden, me djalin që është në mes”, theksoi Gil-i përsa i përketë përplasjes UEFA – FIFA.

Më pas ai vijoi me çështjen e Super League, në të cilën për pak kohë ishte pjesë edhe Atletico Madrid-i, por që më pas u shkëput prej projektit.

Për Gil-in, Super League është “pasoja e asaj që thashë. Nga një anë populizmi dhe nga tjetra nacionalizmi. Gjithë bota do të ndryshojë, por të gjesh përballje të drejta kur ke klube të pasura, të mesme dhe që nuk mbartin vlera, është shumë e vështirë.”.

“Ata na ftuan të ishim pjesë e Super League, ne duhet të ishim me 15 klubet më me ndikim në Evropë. Ne e bëmë atë vetëm 48 orë, por kuptuam se po vinim në rrezik dy gjëra thelbësore, futbollin tradicional dhe ndjekjen e masës sociale”.

“Këto gjera më bënë të mendojë, dhe me aksionerët e klubit kuptuam se Super League nuk po shkonte mirë. Ishte sikur po tradhëtonim ata që na kishin ndjekur gjithmonë, kështu që ne vendosëm të largoheshim”, përfundoi drejtori i Atletico Madrid-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore