Shqipëria

Drejtësi aktive, por në regres


Në renditjet e bëra në rend global, Shqipëria në vitin 2020, në lidhje me sundimin e ligjit, ka pësuar rënie me katër vende.

Ky është konkluzioni i World Justice Project, që ka publikuar performancën e shteteve për sa i përket drejtësisë.

Eksperti i drejtësisë, Erion Malaj, ka shpjeguar për Albanian Post arsyet që kanë çuar në këtë renditje.

“Faktorët kryesorë”, sipas tij, “janë mosfunksionimi i duhur i ndarjes së pushteteve, korrupsioni, mosrespektimi i të drejtave të njeriut, siguria dhe rendi jo në nivelet e duhura”.

Më tej, ai thotë se “është më se i qartë fakti që Parlamenti gjatë vitit 2020 ka pasur problematika tashmë të njohura, madje pushteti i tij në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ka qenë i pakontrollueshëm ose i tepërt”.

Nga ana tjetër, Marinela Ziu, drejtuesja e zyrës së anti-korrupsionit pranë Partisë Demokratike (PD), thotë se kjo vjen si pasojë e pushtetit të pakufizuar të qeverisë, mungesës së kontrollit dhe balancës së pushteteve, duke përqendruar pushtetin në një dorë të vetme.

Për profesor Malajn, korrupsioni vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore në vendin tonë, ndaj dhe ky fenomen do të jetë prezent në shoqërinë shqiptare. Sidomos, në drejtësi dhe në ekzekutiv.

“Sistemi i drejtësisë, si civil ashtu edhe penal, ende nuk përmbush në mënyrë efektive dhe të drejtë detyrat e tij ndaj shoqërisë”.

Deputeti i zgjedhur i PD-së, Belind Këlliçi, bën përgjegjëse qeverinë për rënien e Shqipërisë në renditje.

Sipas tij, këto tetë vjet, Shqipëria ka bërë vetëm hapa pas.

“Institucionet e kapura duhet të çlirohen, që sundimi i ligjit të përparojë. Pa sundim të ligjit, nuk mund të kemi kurrë balancë të pushteteve”.

Sundimi i ligjit është një ndër elementet më të rëndësishëm në funksionimin e shtetit të së drejtës.

“De jure, në Shqipëri garantohen të gjitha dispozitat ligjore”, thekson Malaj, “që të sigurohet mirëfunksionimi i ligjit”.

“Fatkeqësisht kjo nuk vlen, parë nga pikëpamja reale ose de facto, pasi mosfunksionimi i ligjit vërehet në përditshmërinë e qytetarëve shqiptarë. Kjo pra, jo si pasojë e mungesës së legjislacionit të duhur, por si pasojë e mungesës së implementimit dhe funksionimit të duhur”.

Ziu, gjithashtu, mendon se në Shqipëri, treguesi kryesor i mosfunksionimit të ligjit është zbatimi i tij bazuar në vullnetin e kryeministrit apo pushtetit dhe jo forcës së drejtësisë, duke cenuar parimin bazë të së drejtës, atë të barazisë para ligjit të çdo qytetari.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka nisur punën në dhjetor të vitit 2019, dhe kohët e fundit ka “bërë lëvizje” në goditjen e figurave të administratës publike.

Por, si shikohet kjo strukturë në rrugëtimin këtu?

“SPAK mund të ndikojë pozitivisht në zbatimin e drejtë të ligjit në një të ardhme jo të largët. Kjo strukturë e posaçme, pikërisht për të luftuar korrupsionin dhe paligjshmërinë që buron prej tij, do mund të japë efekte të rëndësishme për të përmirësuar jo vetëm imazhin, por realisht drejtësinë dhe në tërësi sistemin ligjor dhe jo vetëm”.

Ky është mendimi i Malajt mbi rrugëtimin e SPAK-ut, për influencën në qeveri.

Ekspertja ligjore Ziu, ndërkohë, shprehet skeptike lidhur me arrestimet nga SPAK, të cilat i cilëson si fasadë.

“Për sa kohë nuk ka arrestime duke filluar nga kryeministri, ministrat, kryetarët e bashkive të mëdha si kryetari i Bashkisë Tiranë, besimi te drejtësia do vazhdojë të mungojë dhe ndoshta të thellohet”.

Ndërsa, Malaj beson se SPAK mund të sjellë një ndryshim rrënjësor në vendin tonë, pasi sipas tij, pak kohë më parë këto nisma apo hetime kanë qenë inekzistente në Shqipëri.

Ziu, ecurinë e sistemit të drejtësisë e lidh me vullnetin e institucioneve, që jo vetëm të përmirësohet imazhi i drejtësisë, por edhe renditja e Shqipërisë në çdo raport ndërkombëtar lidhur me zbatimin e ligjit kundër korrupsionit.

Ajo shton se Partia Demokratike ka denoncuar me prova, fakte dhe dokumentacion zyrtar, afera të rënda korruptive, nga kryeministri deri te specialisti më i thjeshtë.

“Mjafton vullnet real i institucioneve të drejtësisë, i cili, jo vetëm do të përmirësonte imazhin e drejtësisë, por pa diskutim edhe renditjen e Shqipërisë në çdo raport ndërkombëtar lidhur me zbatimin e ligjit të korrupsionit”.

Reforma në drejtësi, ende në faza të hershme, bazuar në renditjen me pikë prapa të Shqipërisë, duket se nuk ka dhënë efekt.

Si shihet kjo nga ekspertët?

Reformat, për profesor Malajn, janë në teori shumë të mira, por duhet të garantohet implementimi i duhur dhe duhet të pranohet se rezultatet e tyre duhet të analizohen në një hapësirë kohore më të gjatë që të shikohen efektet.

Në Shqipëri është miratuar një korpus i rëndësishëm ligjesh, lidhur me reformën në drejtësi, thekson Ziu, ku “sipas eksponentëve të Partisë Socialiste ka ndihmuar vendin në rikthimin e shtetit ligjor”.

Sipas saj, problem themelor lidhur me reformën në drejtësi është se një pjesë e ligjeve janë miratuar vetëm për të emëruar në organet e reja të drejtësisë njerëz nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë.

“Ky është problem madhor për një drejtësi të pavarur dhe të paanshme”.

Ndërsa, reformën në fjalë, Malaj e shikon me “nota pozitive”.

“Sa më parë të ketë rezultat, aq më shpejt do të kemi një renditje dinjitoze”, thotë eksperti, duke shtuar se në fund “do të shohim de facto se ligjet do të zbatohen në mënyrën e duhur dhe qytetarët shqiptarë do mund ta ndiejnë menjëherë këtë ndryshim”.

Ndërsa këto renditje pasqyrojnë të dhëna nga viti 2020, SPAK-u, më konkretisht, e ka nisur “fushatën e arrestimeve dhe padive” gjatë 2021-shit. Ndaj, për këtë fakt, ende duhet pritur për të parë fuqinë e vërtetë të drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore