Lajme

Dreçun: Mosreagimi i vendeve të QUINT-it për ndalimin e Referendumit do të thotë miratim ndaj Kosovës


Kryetari i komisionit të ashtuquajtur “për Kosovën” në Kuvendin e Serbisë, Millovan Dreçun

Kryetari i Komisionit të ashtuquajtur “për Kosovën” në Kuvendin e Serbisë, Millovan Dreçun, ka akuzuar Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, se ai dëshiron të ndalojë praktikën e votimit të serbëve në Kosovë, dhe se mosreagimi i vendeve të QUINT-it ndaj ndalimit të Referendumit nënkupton se ata e miratojnë atë.

Sipas tij, parandalimi i qytetarëve serb të mos votojnë në referendum “është strategjia e Kurtit që Serbia ta trajtojë Kosovën si shtet të ndarë”.

Madje ai thotë se situata në Kosovë është e shoqëruar nga dy procese paralele.

“Njëra është duke u kryer nga Kurti duke ua ndaluar serbëve votimin, ndërsa tjetra kryhet nga shtetet e QUINT-it, ShBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia”, tha ai në Pink Tv.

Dreçun thotë se asnjëra nga këto vende “nuk e ka dënuar veprimin e Kurtit”.

“Me këtë gjë, vendet e QUINT-it na thanë, deri sa ta njihni pavarësinë e Kosovës si shtet, do të tolerojmë dhe mbështesim sjelljen e njëanshme të Kosovës dhe do tua zhbëjmë të drejtat demokratike popullit serb në Kosovë”, supozon Dreçun.

Millovan Dreçun gjithashtu tha se “Amerika dëshiron t’i imponojë Serbisë modelin e dy Gjermanive, ku Kosova s’ka pse të njihet si shtet nga Serbia, por të harmonizojë anëtarësinë e saj në Kombet e Bashkuara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore