Muzikë

Drake e përmend Prishtinën në këngën e re “Polar Opposites”


Rep artisti kanadez, Drake tanimë ka publikuar albumin e tij të plotë të titulluar “For All The Dogs”, i cili përmban gjithsej 23 këngë.

E një prej këngëve në albumin e tetë të Drake është edhe “Polar Opposites”, në tekstin e të cilës, ylli i hitit “God’s plan”, në një prej rreshtave e përmend edhe kryeqytetin kosovar, Prishtinën.

Prishtinë, Kosovë.

“Ose është teksti yt që po e lexoj gabim, ose thjesht veprimet tuaja janë mashtruese. Nuk e di se si i bëjnë gjërat në Prishtinë, por e di që tensioni po rritet”, repon ai.

“Ka shumë njerëz të vdekur për mua që ende marrin frymë (iu referohet rivalëve të tij Kanye West dhe Pusha T), shumë mënyra të tjera për të kapërcyer njerëzit, nuk është dashur të më shkelësh për të fituar lirinë”, vazhdon tutje Drake.

“I veçantë në tërësi”, u konsiderua nga kritikët albumi i ri i Drake, emri i vërtetë i të cilit është Aubrey Graham, dhe jo vetëm.

Një detaj interesant është po ashtu pjesa e kopertinës, pasi që të njëjtën kësaj radhe nuk e kanë punuar ekspertët e fotografisë, por një djalosh 5-vjeç – Adonis Graham, i biri i Drake.

Kopertina e albumit “For All The Dogs” nga Drake.

Gjithsesi, pjesë e albumit të ri të Drake, janë disa prej emrave më eminentë në muzikën botërore, përfshirë 21 Savage me këngën “Calling for you”, J.Cole “First Person Shooter”, një bashkëpunim me SZA në këngën “Slime you out”, “Gently” me Bad Bunny, e të tjera.

Meritat për albumin e ri, i shkojnë edhe Kevin Durant, basketbollistit të “Phoenix Suns”, të cilit i është dhënë titulli ‘A&R’ në “For All the Dogs”, një rol që, në biznesin modern të muzikës, i referohet një bashkëpunëtori që ndihmon për të organizuar një album.

Këngët e tjera përfshijnë “Bahamas Promises”, “What Would Pluto Do”, “7969 Santa” dhe “Virginia Beach”, një këngë që ndezi reagimet menjëherë, sepse është emëruar për vendlindjen e rivalit të gjatë të Drake-it, Pusha-T.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore