Sport

Dortmund triumfon me përmbysje ndaj Union Berlin


Borussia Dortmund ka bërë një ndeshje me dy fytyra në “Signal Iduna Park” këtë të shtunë përballë Union Berlin. Verdhezinjtë shënuan të parët para se miqtë të realizonin dy herë në pjesën e parë dhe të përmbysnin takimin. Por, gjatë pjesës së dytë BVB realizoi tre gola duke sjellë përmbysjen madhe në shifrat përfundimtare 4-2.

Java e tetë e Bundesliga-s solli një përballje interesante në Dortmund mes vendasve dhe Union Berlin-it.

Pjesa e parë ishte ajo që pa gjithçka, nga golat, te golat e anuluar, penallti dhe përmbysjen e rezultatit.

Niclas Fullkrug kaloi vendasit në avantazh në minutën e shtatë. Por, vetëm dy minuta më vonë, Robin Gosens realizoi për miqtë.

Union Berlin do të shënonte në minutën e 20 me Alex Kral, por goli i çekut u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje.

Megjithatë, VAR do të ndërhynte sërish në minutën e 30 duke akorduar 11 metërsh për miqtë. Leonardo Bonucci nuk gaboi nga pika e bardhë dhe i çoi shifrat në 1-2 për miqtë, rezultat që mbylli dhe pjesën e parë.

Bonucci shënoi golin e tij të parë në Bundesliga në moshën 36 vjeç e 159 ditë, duke e bërë atë lojtarin më të vjetër që shënoi golin e tij të parë që nga Carsten Linke në 2002 (37 vjeç e 2 ditë). Midis të gjithë golashënuesve të huaj të Bundesliga-s, vetëm Morten Olsen ishte më i vjetër në këtë drejtim (38 vjeç e 105 ditë).

Pjesa e dytë do të fliste për verdhezinjtë. Në minutën e 49, Nico Schlotterbeck barazoi shifrat në 2-2.

Pesë minuta pas golit të mbrojtësit, Julian Brandt shënoi për të kaluar në avantazh verdhezinjtë.

Brandt ka një përfshirje golash në gjashtë ndeshje radhazi të Bundesliga-s për Dortmund-in për herë të parë (2 gola, 4 asistime). Lojtari i fundit i tyre që e bëri këtë ishte Erling Haaland midis nëntorit dhe dhjetorit 2021.

Ndërsa, Julian Ryerson realizoi golin e katërt, duke vulosur përfundimisht fitoren në shifrat 4-2 të verdhezinjëve.

Me rezultatin e arritur, Dortmund-i ngjitet në vendin e dytë në Bundesliga me 17 pikë. Union ka 6 pikë dhe qëndron në vendin e 13.

Gjithashtu, kjo e shtunë pati edhe disa takime të tjera në Bundesliga. Leipzig barazoi pa gola në shtëpi me Bochum. Stuttgart fitoi 3-1 ndaj Wolfsburg. Dhe, Ausgburg u mund 1-2 në shtëpi nga Darmstad.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore