Sport

Dortmund-i ka “plan sekret” për ta mbajtur Bellingham-in në skuadër


Drejtuesit e klubit të Borussia Dortmund-it thuhet se kanë hartuar një plan sekret për ta mbajtur Jude Bellingham-in në skuadër.

Që kur u transferua në Gjermani, sensacioni 19-vjeçar është bërë në një nga mesfushorët më të mirë në futbollin botëror.

Si rezultat, Bellingham tani është një objektiv për shumë klube anembanë globit, duke përfshirë Liverpool-n, Real Madrid-in, Manchester City-n dhe Manchester United-in.

Sipas gazetës gjermane “Bild”, Dortmund-i është gati të shtojë përpjekjet e tyre për të mbajtur Bellingham-in në “Signal Iduna Park”.

Është raportuar se drejtori sportiv i klubit gjerman, Sebastian Kehl, po planifikon një takim me babain e futbollistit, për të diskutuar një marrëveshje të re.

(Photo by Alex Pantling/Getty Images)

“Bild” raportoi se drejtuesit e klubit mund t’i ofrojnë anglezit një rritje të pagës në 13 milionë funte në sezon, gjë që do ta bëjë anglezin lojtarin më të paguar në historinë e klubit.

Besohet se marrëveshja e re e propozuar do të përfshijë një klauzolë lirimi prej 131 milionë funtesh.

Megjithatë, u raportua gjithashtu se një largim veror për Bellingham është “shumë më i mundshëm” për faktin se shumë klube të mëdha janë gati të “provojnë gjithçka” për ta joshur atë.

Bellingham bëri përsëri përshtypje gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar, duke marrë lëvdata nga ish- kapiteni i Liverpool-it dhe Anglisë, Steven Gerrard.

Ai tha për Channel 4: “Unë kurrë nuk e kam pasur atë fuqi deri në 22 ose 23 vjet, ai është më i zhvilluar fizikisht. Unë nuk jam thjesht modest. Ai është larg më i mirë se sa unë kur isha unë në të njëjtën moshë”.

Raportime të shumta në mediumet e mëdha botërore thonë se ekipet e lartcekura pritet të ofrojnë deri në 150 milionë euro për kartonin e Bellingham.

Ndërsa vlera në treg e futbollistit, sipas “Transfermarkt” shkon në 110 milionë euro.

Kujtojmë që Bellingham iu bashkua Dortmund-it në verën e vitit 2020 (ishte 17-vjeçar) për 25 milionë euro nga skuadra angleze, Birmingham.

Deri më tani ai ka luajtur në 124 ndeshje në të gjitha garat me fanellën verdhezi, prej të cilave ka shënuar 20 gola dhe ka dhuruar 24 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore