Lajme

Dorëzohet kallëzim penal ndaj ministres Albulena Haxhiu dhe zëvendësit të saj


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësi i saj, Blerim Sallahu.

Të hënën e 12 shtatorit është dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësit të saj, Blerim Sallahut.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, mund t’ju konfirmojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka pranuar kallëzimin penal lidhur me çështjen për të cilën keni shprehur interesim dhe është duke e trajtuar”, ka thënë Ulaj për AP.

Bazuar në raportimet e tjera në media është thënë se kallëzimi penal është bërë nga udhëheqësi i një departamenti në Ministrinë e Drejtësisë, Elbasan Dervishi.

Mirëpo nga Prokuroria nuk kanë dhënë detaja të tjera rreth procesit të hetimeve.

Ndryshe, më 12 shtator, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencë për media tha se vetëm para një muaji ka filluar një hetim nga Inspektorati i kësaj ministrie për të kuptuar më shumë se çfarë ndodhi në rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Raportin e kemi marrë para 10 ditësh, dhe periudha kohore prej kur ka nisur ky raport (hetim) është brenda një muaj”, tregoi Haxhiu.

Këtë të hënë Haxhiu doli para mediave për të shpalosur se cilat janë gjetjet e hetimit. Sipas saj, bazuar në atë çfarë zbulon hetimi, ka pasur parregullsi në trajtimin e provave, kryesisht të mënyrë së si është përdorur materiali i incizuar nga kamerat e burgut.

“Me 5 nëntor të vitit 2016 në rrethana ende të pasqaruara ka ndërruar jetë Astrit Dehari. Që nga marrja e detyrës kemi pranuar informata nga zyrtarë të ndryshëm lidhur me përfshirjen e personave përgjegjës në këtë rast”, tha Haxhiu.

Për këtë arsye, ajo ka kërkuar inspektim nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë.

Ky Inspektorat bën inspektimin e punës në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe, ligjërisht, është mekanizëm i pavarur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore