Lajme

Dorëhiqet kryeministrja suedeze pas fitores së të djathtës


Kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andresson, do të japë dorëheqjen pasi nuk arriti të mbajë shumicën parlamentare në votimet e zhvilluara të dielën e shkuar, ku fituese, me 176 ulëse kundrejt 173, janë shpallur partitë e spektrit të djathtë në bllok.

Tashmë 99% e votave janë numëruar në Suedi dhe nuk ka më dyshime se të radhës në qeveri do të jenë të djathtët, duke ndryshuar kështu kursin historik në vendin nordik dhe me premtime të ashpërsimeve ligjore e sociale në tërësi.

Pavarësisht se shpresa është ende për një fitore për Andersson, duke qenë se një proces rinumërimi kryhet gjithnjë në Suedi pas zgjedhjeve, ajo humbjen e ka pranuar tashmë dhe është gati të largohet.

“Në Parlament, ata kanë një ose dy ulëse më shumë. Është një shumicë shumë e brishtë, por në fund të ditës është një shumicë”, tha ajo pas shpalljes së votimeve.

Çështjet e emigrimit dhe integrimit kanë qenë ndër më thelbësoret në fushatën elektorale, ku Andersson dhe partia e saj e qendrës së majtë, janë përpjekur të jenë më gjithëpërfshirës për komunitetet e huaja në vend.

Nga ana tjetër, të djathtët, ashtu si është parë edhe në vende të tjera, e zhvillonin fushatën më së shumti në tone nacionaliste dhe të politikave pro suedezëve.

Andersson ishte e para kryeministre grua e votëbesuar në historinë e Suedisë dhe këtë gjë e arriti dy herë brenda pak kohësh.

Po brenda pak kohësh, kjo është edhe dorëheqja e dytë e saj nga posti.

Ndër vendimet e saj më të rëndësishme, në bashkërendim me forcën qeverisëse, ka qenë aplikimi i Suedisë për të hyrë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), pas ngjarjeve të agresionit rus në Ukrainë, me fillim më 24 shkurt 2022.

Së bashku me Finlandën, dy vende historikisht neutrale, ato aplikuan dhe u pranuan menjëherë në organizatë, duke pritur vetëm formalizimin me të drejta të plota të vendit.

Sfida tashmë i shkon të djathtëve, të cilët me premtime për të ashpërsuar kodin penal dhe për të ngurtësuar procedurat e emigracionit, duhet të gjejnë një kryeministër.

Partia më e votuar është e demokratëve të Jimmie Akersson, por shihet si shumë e vështirë bërja e tij si kryeministër, duke marrë parasysh se nuk e gëzon mbështetjen e katër partive të koalicionit të djathtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore