Lajme

Donika Gërvalla më s’duhet të marrë pjesë në seanca ku raporton UNMIK-u, dhe asnjë ministër tjetër


Raportimet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara “e kanë humbur kuptimin”, derisa sipas profesorëve të diplomacisë dhe shkencës politike, roli i UNMIK-ut në Kosovë “është inekzisitent”, megjithatë thonë se Kosova nuk është mirë që t’i bojkotojë këto mbledhje, por ta ulë nivelin e përfaqësimit.

Profesori i diplomacisë dhe ish-zëvendësministrin e jashtëm të Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për Albanian Post se për këtë duhet të angazhohet Qeveria e Kosovës.

“Por derisa një gjë e tillë të ndodhë, atëherë, përfaqësimi i Kosovës në takime te tilla duhet të bëhet më i rrallë në periudhë kohore, dhe në nivel hierarkik më të ulët”, tha Murtezaj.

“Pra, jo në nivel zëvendës-kryeministrash apo të Ministrit të punëve të jashtme, por eventualisht në nivel ambasadori”.

Valon Murtezaj

Ai konsideron që vetë takimi është me potencial destruktiviteti nga përfaqësuesi i Serbisë dhe eventualisht i vendeve që nuk janë përkrahëse të Kosovës.

“I gjithë angazhimi i ministres së MPJ-se duhet të jetë në këtë drejtim, dhe jo në përfshirje pastaj të debateve që nuk kanë ndonjë benefit për Kosovën dhe tregojnë performancë jo adekuate”, potencoi Murtezaj.

Edhe profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, mendon që këto mbledhje Kosovës nuk i konvenojnë, por thekson se Kosova duhet të marrë pjesë derisa është në fuqi rezoluta 1244.

“Kosova nuk është mirë që t’i bojkotojë këto mbledhje, por Kosova duhet ta ulë nivelin e përfaqësimit, duhet në nivel të ambasadorit – kjo ja jap edhe pa-rëndisin e këtij takimi”, vuri në pah Arifi për AP.

Dritëro Arifi

Të martën, ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, theksoi për AP se këto seanca “janë humbje kohe”.

“Serbia do t’i përsërisë akuzat e vjetra, njëjtë edhe Rusia”, tha ajo.

“Siç e kam thënë edhe kur kam raportuar aty, këto seanca janë humbje kohe”, thekson ajo.

“Shpresoj që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla të insistoj në uljen e mëtejme të numrit të raportimeve, sepse Kosova është demokraci e jo vatër krize”.

Ajo potencoi se suksesi me i madh gjatë mandatit të saj ka qenë ulja e frekuencës së raportimit për Kosovën në OKB, “nga katër sesione brenda vitit në dy”.

Gërvalla në OKB: Vuçiç po riciklon ideologjinë e “Serbisë së Madhe”

Të martën, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka theksuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po riciklon ideologjinë e ‘Serbisë së Madhe’”, pra bashkimin e “të gjithë serbëve”, brenda një sfere të vetme politike.

“Kjo supremaci serbe është kërcënim për paqen në rajon sepse Vuçiç po promovon ideologjinë raciste, pra versionin e ricikluar të ‘Serbisë së Madhe’, baza e gjenocidit serb në rajon”.

Gërvalla ia kujtoi homologut të saj, Nikolla Selakoviç-it, deklaratën e presidentit serb për gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1995 kur thoshte se për “çdo serb të vrarë, do t’i vrasim njëqind myslimanë”.

Këto raporte dorëzohen në Këshillin e Sigurimit në përputhje me rezolutën 1244, me anë të së cilës Këshilli kishte dërguar misionin në Kosovë në vitin 1999 dhe kishte kërkuar raporte në intervale të rregullta për të kontrolluar implementimin e mandatit të vet.

Raporti, veç mbulimit të aktiviteteve të misionit, përfshin edhe ngjarjet kryesore që kanë ndodhur brenda gjashtë muajve të fundit, si në këtë rast nga 16 marsi deri me 15 shtator të këtij viti.

A është ky paralajmërimi se Kosova mund të jetë pjesë e OKB-së?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore