Shqipëria

Dokumenti franko-gjerman me dy rekomandime për zgjerimin e BE-së: Afati kohor për vendet kandidate është një objektiv dhe jo datë e caktuar


Një dokument franko-gjerman mbi reformën e BE-së ka zbuluar propozimet e 12 ekspertëve për zgjerimin e Unionit.

Punimi i përgatitur do të paraqitet nga Paris-i dhe Berlin-i zyrtar të martën e 19 shtatorit, raporton “Politico”.

“Albanian Post” është njohur me dokumentin e ekspertëve (publikuar nga Politico – ed.) dhe vëren se ai përmban propozime konkrete për një BE të qeverishme me 30 ose më shumë anëtarë – duke llogaritur Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor të cilat presin për t’iu bashkuar Unionit.

“Për të rifituar besueshmërinë, BE-ja duhet të vendosë objektivin që të jetë gati për zgjerim deri në vitin 2030 dhe kandidatët për anëtarësim duhet të punojnë për të përmbushur kriteret për t’u anëtarësuar në BE në këtë datë më të hershme të hyrjes”, vëren fillimisht teksti i përgatitur nga ekspertët.

Sipas tyre, ky angazhim i ndërsjellë do të rriste besimin në procesin e anëtarësimit që është minuar nga mungesa e angazhimit dhe progresit gjatë viteve të fundit.

Dokumenti, sakaq, bën të qartë se nuk ka hyrje të lirë në BE dhe se “afati kohor është një objektiv dhe jo një datë e caktuar”.

“Lidershipi i ri politik pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2024 duhet të angazhohet plotësisht për këtë qëllim dhe për procesin e reformës që kërkohet për ta arritur atë”, thekson në vijim punimi.

Një samit i përbashkët me udhëheqjen politike të të gjitha vendeve kandidate mund të shtojë gjithashtu një ndjenjë të rinovuar dinamizmi, mendojnë ekspertët.

Për ekspertët evropianë, është e paqartë nëse do të ketë një zgjerim të dytë me dy opsione në tavolinë.

Njëra, me shumë kandidatë që do t’i bashkohen ‘en bloc‘, apo një ‘regatta‘, me data të ndryshme pranimi për kandidatë të ndryshëm.

“Të dyja opsionet kanë të mirat dhe të këqijat e tyre. Opsioni ‘en bloc’ pret që vendet kandidate të motivojnë dhe mbështesin procesin e reformave të njëri-tjetrit. Por ajo bie ndesh me qasjen e bazuar në merita që e bën çdo kandidat stimuluesin e ritmit të pranimit të tij”, shton dokumenti franko-gjerman.

Sipas tyre, kjo do të thotë se ose më të avancuarit duhet të presin për ata që do të kenë vonesa, ose se ata përcaktojnë shpejtësinë e anëtarësimit, që nënkupton pranimin e vendeve që nuk janë ende gati për t’u anëtarësuar.

Një qasje “regatta“, nënvizon punimi, do të përputhej më mirë me parimin e bazuar në merita.

Megjithatë, kjo do t’i lejonte shtetet anëtare, duke përfshirë të ardhurit, të bllokonin pranimin e disa vendeve për shkak të konflikteve dypalëshe.

Për ekspertët, ky rrezik mund të zbutet nga klauzolat në traktatet e tyre të anëtarësimit për një periudhë kalimtare që ua heq të drejtën për të votuar për zgjerimet e ardhshme për një afat kohor të rënë dakord bashkërisht.

Gjithashtu, pranimi mund të konsiderohet vetëm pasi të zgjidhen konfliktet ndërmjet vendeve kandidate, vijon dokumenti.

Rekomandimi i dytë i propozuar në dokumentin franko-gjerman është që të ndahen raundet e anëtarësimit në grupe më të vogla vendesh (pra regatta) në përputhje të plotë me qasjen e bazuar në merita dhe duke marrë parasysh konfliktet e mundshme dypalëshe.

Punimi i ekspertëve vëren se zgjerimi i ardhshëm do të jetë i ndryshëm nga ato të mëparshme, jo vetëm sepse sfidat gjeopolitike kanë shtuar Ukrainën dhe Moldavinë në grupin e kandidatëve.

Procesi i anëtarësimit është rishikuar me synimin për ta bërë atë “më të parashikueshëm, më të besueshëm (bazuar në kritere objektive dhe kushte rigoroze pozitive dhe negative, dhe kthyeshmëri), më dinamik dhe subjekt i drejtimit më të fortë politik, shkruhet në dokumentin franko-gjerman.

Reforma e fundit e procesit të zgjerimit mund të ketë pasur një ndikim në nivelin teknik, por nuk ka krijuar një moment të fortë politik brenda politikave të zgjerimit të BE-së.

Që zgjerimi i ardhshëm të ndodhë, duhet të ndërmerren hapa konkretë, jo vetëm për të përgatitur BE-në për zgjerim, por edhe për të ridinamizuar një proces pranimi të bazuar në merita dhe për të mbështetur tranzicionin e vendeve kandidate, ravijëzon në përmbyllje punimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore