Lajme

Dodik miraton ndryshimet ligjore – tash e tutje shpifja konsiderohet vepër penale në Republikën Srpska


Milorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, më 18 gusht ka dekretuar Ligjin mbi Amendamentet në Kodin Penal të Republika Srpska-s, ligjin të cilën Kuvendi Kombëtar të Republikës Srpska miratoi në seancën e mbajtur më 20 korrik të këtij viti.

Këto ndryshime në ligj u miratuan pavarësisht paralajmërimeve disamujore të gazetarëve, aktivistët dhe komunitetit ndërkombëtar se ato përfaqësojnë një sulm ndaj lirisë së mendimit dhe një hap drejt futjes së censurës në këtë entitet të Bosnje e Hercegovinës.

Me ndryshimet ligjore në fjalë nga tash e tutje bërja e deklaratave dashakeqe ose të pavërteta për një person do të quhet shpifje, për të cilën parashikohen gjoba nga 1 mijë deri në 3 mijë euro.

Në draftin përfundimtar të ligjit, gjobat për shpifje janë ulur në krahasim me draftin paraprak në të cilin gjobat arrinin deri në 60 mijë euro.

Gjoba më të mëdha parashikohen në situatat kur shpifja paraqitet në media, përfshirë rrjetet sociale ose në një takim publik.

Organizatat ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë kanë qenë kundër ndryshimeve në Ligjin për Kodin Penal.

Në një deklaratë të përbashkët të datës 21 korrik, institucionet ndërkombëtare thanë, ndër të tjera, se kriminalizimi i shpifjes është kundër detyrimeve ndërkombëtare të Bosnje e Hercegovinës në fushën e të drejtave të njeriut dhe nuk është në përputhje me rrugën evropiane të Bosnje-Hercegovinës apo me 14 prioritetet kryesore nga Opinioni i Komisionit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore