Lajme

Dodik e mohon sërish gjenocidin në Srebrenicë


Milorad Dodik

“Gjenocidi nuk ka ndodhur në Srebrenicë, ne të gjithë e dimë këtë në Republikën Srpska”, ka thënë udhëheqësi autoritar i Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, në një konferencë për shtyp në Banja Luka më 21 shkurt.

Tutje, ai ka thënë se “edhe disa shtetarë në rajon folën për këtë, por ata vazhdimisht po përpiqen ta mbajnë gjallë atë lloj historie në mënyrë të dhunshme”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Siç pretendon Dodik, një ekip ekspertësh dhe autoritetet më të larta përcaktuan se në Sebrenicë nuk kishte gjenocid.

Dodik foli për Srebrenicën, pasi përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Christian Schmidt, miratoi Ligjin për ndryshime në Ligjin për Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçari, i cili jep mundësinë që teprica e fondeve të dhuruara për varrimin dhe përkujtimoret e viktimave të ridrejtohet për nevoja të tjera për funksionimin e kësaj qendrës.

Dodik pretendon se ky vendim është i paligjshëm dhe se “përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë nuk ekziston”.

Gjithashtu, Dodik potencoi se ky vendim nuk do të thotë asgjë për Republikën Srpska dhe se nuk do të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Dodik edhe më herët ka mohuar gjenocidin në Srebrenicë, duke pretenduar se atje ka pasur një krim dhe se “kualifikimi politik i gjenocidit nuk mund të përdoret për atë që ndodhi atje”.

Forcat e Ushtrisë së RS në dhe rreth Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinën lindore vranë 8 mijë 372 burra dhe djem të kombësisë joserbe.

Më shumë se 25 mijë gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona e atëhershme e mbrojtur nga Kombet të Bashkuara.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocid dhe krime në Srebrenicë.

Para Gjykatës së Hagës, por edhe gjykatave vendore, këto krime janë cilësuar si gjenocid.

Ish-përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Valentin Incko (Inzko), duke përdorur kompetencat e Bonit, vendosi në korrik 2021 ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë-Hercegovinës që ndalojnë dhe dënojnë mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore