Lajme

“Do të ishte një gabim historik shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën”


Ilustrim

“Do të ishte një gabim historik shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka thënë këtë të premte eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.

Këto komente ai i bëri pasi që ri-shpërndau në rrjetin social X, postimin e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila reagoi pas paralajmërimit të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se njëra ndër masat që mund të merret ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse ato “nuk sillen me përgjegjësi” në procesin e dialogut është edhe shqyrtimi i regjimit të vizave për të dy vendet.

“Më vjen mirë që ndoqët nismën time, Viola”, shkroi ai, duke bërë me dije se të njëjtën gjë e kanë bërë edhe disa eurodeputetë të tjerë.

“Unë jam mirënjohës për këtë. Kjo është një nismë ndërpartiake”, shtoi.

Von Cramon, në reagimin e saj ndaj paralajmërimit të Macron-it tha se “ne duam të jemi të qartë – udhëtimi pa viza nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun me Serbinë”, duke shtuar se “qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave të vonuar prej kohësh”.

“Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin e saj duke lejuar qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm që nga 1 janari 2024”, shkroi eurodeputetja gjermane në llogarinë e saj në rrjetin social X.

Von Cramon: Vizat s’duhet të lidhen me dialogun, kosovarët e meritojnë lëvizjen e lirë prej kohësh

Çfarë kishte thënë Macron?

Presidenti francez Emmanuel Macron, kishte deklaruar se ashtu si Franca dhe Gjermania, bashkë me Bashkimin Evropian, janë treguar të përkushtuara në raport me Kosovën dhe situatën në Veri, pret që edhe Kosova ta ketë të njëjtin përkushtim në zbatimin e premtimeve të dhëna, veçanërisht për uljen e tensioneve dhe krijimin e kushteve për paqe dhe stabilitet.

Këto komente ai i kishte bërë para ambasadorëve të Francës në fjalimin e tij të parvjetshëm dhe tradicional, ku presidenti diskuton me diplomatët francezë për politikën e jashtme të shtetit dhe sfidat e diplomacisë.

“Sa i përket diferencave në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo situatë është mbështetur nga negociatorët evropianë dhe nga përfaqësuesit tanë, prandaj presim angazhim të qartë nga të dyja palët”, tha Macron duke specifikuar “angazhimin sa i përket zgjedhjeve komunale në katër komunat veriore”.

Ai theksoi se për autoritetet e Kosovës ka një kërkesë të qartë – “presim që vendoset paqja sa i përket situatës në Veri”.

Lideri i “ La République En Marche” që u angazhua edhe personalisht përmes kabinetit të tij dhe përfaqësuesit Emmanuel Bonne në bashkëpunim me Gjermaninë të hartojnë edhe një propozim franko-gjerman që më vonë u kthye në Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, deklaroi se edhe qeveria e tij, por edhe ajo e Olaf Scholz-it, u kanë qëndruar premtimeve në raport me Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën.

“Franca dhe Gjermania u ka qëndruar përkushtimeve të veta dhe këtë e kemi treguar me çështjen e vizave dhe çështje të tjera ekonomike që do të shpalosen në të ardhmen”, pohoi Macron, “prandaj presim nga të dyja palët që të sillen me përgjegjshmëri”.

Ai u kishte tërhequr vërejtjen diplomatëve të tij se “duhet të jemi tejet vigjilent në atë pjesë, sidomos kur stabiliteti i Ballkani Perëndimor është në pyetje”.

Dhe, për të përmbyllur temën e Kosovës dhe Serbisë e dialogut mes tyre, Macron përfundonte duke thënë se “ne do të vazhdojë përkushtimin tonë”, për këtë pjesë të Evropës.

Por, paralajmërimi i Macron-it, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është mënyra më efektive për të vrarë procesin e dialogut njëherë e përgjithmonë.

Në një prononcim për media pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, Osmani, e indinjuar me deklaratën e presidentit francez tha se një ndëshkim i tillë të cilën e quajti si të paprecedentë do të rezultojë me vdekjen e dialogut.

“Në qoftë se dëshiron dikush që mos të ketë më dialog atëherë ndërmerr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës, nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj ndonjë politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Një ndëshkim i tillë i paprecedentë, i cili edhe ashtu ka qenë pa drejtësi e madhe në raport me popullin e Kosovës, unë besoj se do të rezultojë me vdekjen e dialogut, nuk ka askush më mandat në Republikën e Kosovës që të vijojë të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet në aso mënyre”.

Megjithatë ajo është shprehur e bindur se nuk do të vijë deri te rishikimi i vendimit për viza meqë sipas saj Kosova i ka plotësuar e stërplotësuar kriteret.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore