Lajme

“Do ta vazhdojmë betejën për drejtësi”, Osmani përkujton masakrën në familjen Vejsa


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 25 vjetorin e masakrës në familjen Vejsa, duke thënë se Serbia vazhdon t’i mbrojë këto krime që janë bërë në Kosovë gjatë 1998-1999.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidencës është theksuar se në luftën për drejtësi s’do të dorëzohen.

“Emrat e fëmijëve dhe grave martire të familjeve: Vejsa, Caka, Haxhiavdija, Nuqi, Hoxha dhe Gashi nga Gjakova, janë kujtim i përhershëm dhe dëshmojnë rrugën e vështirë të aspiratave tona për liri e shtet. Djegia e fëmijëve të Kosovës për së gjalli është e vërteta e Serbisë, e cila edhe sot vazhdon t’i mbrojë kriminelët që kryen këto krime makabre me qëllim të qartë gjenocidal”.

“Duke mbajtur gjallë kujtimin për ta, do ta vazhdojmë betejën për drejtësi”, ka thënë Osmani.

E para e shtetit ka shtuar se kujtimi për të gjithë të rënët për liri duhet të jetë i përhershëm.

Më 1 prill, Osmani, ka kujtuar 25 vjetorin e masakrës së Lybeniqit, duke kërkuar që të mos ndalen përpjekjet për vendosjen e drejtësisë.

“Është obligim i yni institucional që asnjëherë të mos i ndalim përpjekjet tona për vendosjen e drejtësisë për viktimat, duke i dhënë kuptim lirisë sonë dhe duke e mbrojtur të vërtetën”, ka thënë Osmani.

Masakra e Lybeniqit, bënë pjesë në njërën ndër masakrat më të mëdhaja që kishte ndodhur në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.

Në këtë masakër ishin vrarë dhe masakruar gjithsej 118 shqiptarë.

Në këtë fshat gjatë periudhës së luftës në Kosovë, përgjatë viteve 1998-1999, ndodhën gjithsej 3 masakra.

Masakra më e madhe ishte ajo e 1 prillit 1999, në të cilën nga forcat paramilitare serbe u vranë dhe u masakruan 59 persona të pafajshëm, të cilët bënin pjesë në popullsinë civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore