Shqipëria

Do garojë në zgjedhjet e 6 marsit për Bashkinë Shkodër, Angoni jep dorëheqjen si Prefekte Qarku


Prefektja e Qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni, nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook, ka njoftuar dorëheqjen e saj nga kjo detyrë, për t’i lënë vendin garës për në krye të Bashkisë Shkodër.

“Mbajtja e detyrës së prefektit të Qarkut të Shkodrës ka qenë për mua nder, privilegj dhe përgjegjësi’, shkruan ajo.

Më tej Angoni shpreh mirënjohjen të gjithë punonjësve, të cilët sipas saj nuk kanë kursyer në asnjë moment devotshmërinë dhe përgjegjësinë që i ka dhënë detyra.

Ndër të tjera ajo vendos theksin në garën e saj për kreun e Bashkisë nën logon e Partisë Socialiste.

“Sot nis një kapitull të ri në jetën time profesionale dhe publike duke marrë një tjetër përgjegjësi të madhe siç është sfida, për kandidimin në Bashkinë e Shkodrës për të përmbushur më shumë sfidat që kanë banorët e këtij vendi”, e përmbyll postimin e ajo.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka regjistruar zyrtarisht 11 subjekte partiake në garën për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Përkatësisht partitë kryesore – Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Si dhe partitë e vogla – Partia Demokristiane, Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë, Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar.

Ndërsa ka shpallur zyrtarisht regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, midis LSI-së, Komisionit të Rithemelimit dhe Partisë Demokristiane.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi datën 6 mars si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Gjashtë janë bashkitë ku do të garohet nga partitë – Durrës, Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore