Lajme

Djegia e veturave, Hovenier: Qeveria të mbrojë qytetarët dhe të sigurojë llogaridhënie për këto vepra kriminale


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, nëpërmjet një cicërime në rrjetin social Twitter, ka dënuar sërish djegien e veturave me targa të Kosovës në pjesën veriore të vendit.

“SHBA-të vazhdimisht e kanë dënuar djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto vepra kriminale”, shkroi ambasadori.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, nëpërmjet një cicërime në rrjetin social Twitter, ka reaguar sërish lidhur me djegien e veturave, veçanërisht ndaj Listës Serbe, e cila jo vetëm që nuk e ka dënuar këtë akt, por ka paralajmëruar “rezistencë”.

“Pse? Shumë shqetësuese që Lista Serbe sërish nuk i ka dënuar zjarrvëniet në automjetet e qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar për të dënuar këtë praktikë”, ka shkruar diplomati gjerman pas deklaratave të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, i cili gjithashtu përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, ka shkruar se kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç dhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, po kërcënojnë me “rezistencë dhe kryengritje”.

“Rakiç, kreu i Listës Serbe, përkrah Petkoviç-it kërcënon me ‘rezistencë dhe kryengritje’ në Kosovë. Megjithatë, asnjë fjalë dënimi nga Petkoviç për djegien e veturave të serbëve vendas! Serbia dhe Lista Serbe kërcënojnë me dhunë. Ata do të jenë përgjegjës për çdo përshkallëzim në terren”, ka shkruar Vela.

Gjatë tri ditëve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar djegie të veturave me targa të Kosovës, të cilat janë ri-regjistruar nga targat ilegale KM të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Në fakt, djegia e veturave ka filluar qysh vitin e kaluar kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa legale.

Policia e Kosovës e ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut më 1 prill në kuadër të një aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e kryerjes së veprave kriminale.

Personi i arrestuar dyshohet për disa vepra penale, përfshirë këtu pjesëmarrje në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës, pjesëmarrje apo organizim të grupit të organizuar kriminal, vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha të dielën, se përmes arrestimit të serbëve në Kosovë, Qeveria e Kosovës dëshiron ta destabilizojë gjendjen dhe t’i shmangë detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore