Lajme

Djali vrau nënën – Krejt çka dihet për ndodhinë tragjike në Pejë


Dyert e shtepise ku ndodhi vrasja

Një vrasje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në qytetin e Pejës.

Policia e Kosovës fillimisht e ka konfirmuar rastin për Albanian Post.

“Sot rreth orës 16:00 policia ka marrë një informacion në rrugën ‘Mbreti Zog’ në Pejë, me të arritur në vendin e ngjarjes kemi parë është se bëhet fjalë për vrasje të rëndë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Driton Rugova.

Më pas Prokurorja e rastit në Pejë, në konferencë për media, ka konfirmuar se bëhet fjalë për një vrasje brenda familjes dhe se i dyshuari është arrestuar.

“Është një vrasje tragjike dhe e dhimbshme. Ne u njoftuam se ka ndodhur një vrasje, se dyshohet se i biri e ka privuar nga jeta të ëmën. Policia reagoi shpejt, i njëjti është arrestuar”, ka deklaruar prokurorja e rastit në Pejë.

Ajo ka lënë të nënkuptohet se i dyshuari ka probleme psikike, përçka edhe ende nuk i kanë marrë deklaratë, por ka njoftuar se kanë dëshmitarë të tjerë okular.

“Kemi dalur së bashku në vendin e ngjarjes me forenzikën, janë izoluar të gjitha gjurmët dhe provat. Kemi siguruar edhe dëshmitarë okularë të ngjarjes. Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, por s’ka qenë në gjendje. Nesër në prezencë të psikologut do të provohet të merret deklarata e të njëjtit”.

Prokurorja ka deklaruar edhe se “do të urdhërojmë edhe ekzaminimin në institutin e psikiatrisë forenzike të të dyshuarit”.

Nga mediat raportohet se djali rreth të 30-ve jeton si rezidentë në Gjermani.

“Djali kishte qenë jashtë shtetit për disa muaj dhe ka pak kohë që është kthyer në Pejë. Dyshimet e para janë që ka të bëjë me një lidhje martesore që djali kishte me një vajzë. Ai ka akuzuar nënën e tij, që ajo ishte shkaktare që ai është ndarë me gruan e tij”, i kanë thënë disa banorë të lagjes në kushte anonimiteti një televizioni në Kosovë.

Banorët gjithashtu kanë thënë se ai ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe ishte dy herë i martuar.

Këto informacione nuk janë konfirmuar akoma. Ekipet e specializuara kanë mbledhur provat dhe materialet nga vendi i ngjarjes për ekzaminim të mëtejshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore