Kosova

Ditë zie në qytetin e Shtimes


Të gjithë flamujt e vendosur në institucione dhe rrugë të qytetit të Shtimes, këtë të hënë do të ulen në gjysmë shtizë.

Kryetari i Komunës, Naim Ismajli, këtë ditë e ka shpallur ditë zie në shenjë nderimi për katër anëtarët e familjes Ramadani, të cilët humbën jetën tragjikisht një ditë më parë në një aksident trafiku.

Njoftimi i plotë:

Në mbështetje të Nenit 13 dhe 58, të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, si dhe Nenit 54 i Statutit të Komunës së Shtimes, pas aksidentit tragjik në komunikacion, ku humbën jetën 4 anëtarë të familjes Ramadani nga Shtimja, kryetari i Komunës merr këtë:

VENDIM PËR SHPALLJE DITË ZIE

  1. Më 07.06.2021, ditë e hënë, shpallet ditë zie në komunën e Shtimes,
  2. Të gjitha angazhimet institucionale të parapara për këtë ditë pezullohen,
  3. Të gjithë flamujt që janë të vendosur në institucionet komunale, do të ulen në gjysmështizë.

Kryetari i Komunës

Naim Ismajli

Një ditë më parë rreth orës 15:37 në rrugën magjistrale Ferizaj –Shtime, në fshatin Koshare të Ferizajt, ndodhi një aksident komunikacioni, ndërmjet dy veturave civile ku si pasojë kanë vdekur 4 persona, ndërsa një tjetër ka pranuar tretman mjekësorë.

Katër personat e vdekur janë anëtarë të familjes Ramadani nga Shtimja.

Naim Ramadani 39-vjeçar – drejtues i automjetit, Xhevrije Ramadani 60-vjeçare (nëna e Naimit), Sabrije Ramadani 32-vjeçare (gruaja e Naimit) dhe Y.R. 12-vjeçar (djali i Naimit).

“Si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën 4 persona dhe është lënduar një tjetër, i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë”, ka njoftuar policia e Kosovës.

Më shumë detaje rreth rastit ka dhënë mjeku kujdestar në QKMF-në e Ferizajt, Bajram Ajeti.

“Rreth orës 15:30 kemi marrë informatën se ka ndodhur një aksident i rëndë. Me të arritur në vendngjarje kemi parë që janë aksidentuar dy vetura. Në veturën e tipit Golf 2 kanë qenë pesë persona dhe në veturën tjetër të tipit Audi kanë qenë 2 persona. Në vendin e ngjarjes kemi marrë një person me lëndime të rënda dhe kemi konstatuar vdekjen e katër personave tjerë. Që të gjithë kanë qenë në veturën e tipit Golf 2. Personat në tipin Audi kanë marrë lëndime pak më të lehta dhe iu është dhënë ndihma në QKMF-në e Ferizajt e më pas janë liruar në shtëpi”, tha Ajeti për RTV Dukagjinin.

Në këtë ditë, jetën e humbi edhe një qytetar tjetër.

Rreth orës 19:00 në rrugën Magjistrale Pejë – Prishtinë, një vetaksident mori jetën e një personi teksa vetura doli nga rruga.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha ka bërë të ditur se personi ka qenë vet në veturë dhe deri tek aksidenti dyshohet se erdhi pasi që shoferi ka humbur kontrollin mbi veturën, duke u aksidentuar për vdekje.

Dita e diel u karakterizuar me shumë fatkeqësi në territorin e Republikës së Kosovës.

Aksident trafku pati edhe  në udhëkryqin e rrugëve “Ukshin Hoti”-“Robert Doll” në Prishtinë, ku pesë persona kanë pësuar lëndime trupore, si pasojë e aksidentit të ndodhur rreth orës 10:00.

“Rreth orës 10:30, në udhëkryqin e rrugëve ‘Ukshin Hoti’-‘Robert Doll’, në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete.  Bazuar në të dhënat fillestare nga vendi i ngjarjes, pesë persona kanë pësuar lëndime trupore. Me rastin po merret njësiti i trafikut rrugor”, ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.

Pastaj një veturë u kaplua nga flakët teksa po lëvizte nga Hani i Elezit në drejtim të Prishtinës, djegia e saj ndodhi në fshatin Nikaj të Kaçanikut. Në veturë ishin prezent prindërit me tre fëmijët e tyre, shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Përveç dëmeve materiale nuk pati njerëz të lënduar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore