Gjykata Speciale

Dita e dytë e gjykimit, sot radha e avokatëve


Avokatët ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës këtë të marte në ora 9:00 do mundohen t’i shfajësojnë nga akuzat të mbrojturit e tyre Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerizimit nga Gjykata Speciale.

Akuzat të rënda për ish-krerët e UÇK-së u shpalosën mbi pesë orë nga Kryeprokurori i Speciales, Alex Whiting dhe prokurorët e tjerë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të hënën e ku thuhet se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur qëllime kriminale dhe ka ndjekur politikë të shenjëstrimit të kundërshtarëve”.

“Provat do të tregojë që katër të akuzuarit mbështeten dhe zbatuan një politikë që vinte në shënjestër ata persona që konsideroheshin si kundërshtarë, shpesh të mbështetur në asgjë. Si dhe personat e perceptuar si jo mbështetës të qëllimeve të UÇK-së”, tha Kryeprokurori Whiting.

Po ashtu sipas organit të akuzës, ishte Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që si udhëheqës të kësaj politike të eliminimit të kundërshtarëve kanë dhënë urdhrat.

Prokuroria ka përsëritur pretendimet e saj për “Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët”, një term ky që sipas pikës 35 të aktakuzës përfshin pothuajse tërë UÇK-në.

Përveç Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, prokurori i specializuar Matthew Halling, ka përmendur edhe Adem Jasharin si një nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka ndërmarrë veprime kundër serbëve dhe bashkëpunëtorëve të Serbisë.

Aksionet e tyre, për prokurorinë speciale, përbëjnë prova kundër të akuzuarve.

“Përmes Adem Jasharit, UÇK filloi të sulmojë në mënyrë të vazhdueshme ushtrinë, policinë dhe bashkëpunëtorët serbë përgjatë viteve 90-të”, tha Halling.

Prokurori në Speciale godet edhe komandantin legjendar: Përmes Adem Jasharit UÇK-ja filloi të sulmonte bashkëpunëtorët serbë

Megjithëkëtë, pas prezantimit të aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë deklaruar njëzëri të pafajshëm.

Veseli, përtej deklarimit ka shprehur pakënaqësi me vonesat, derisa Krasniqi pohoi se “e kam vështirë ta kuptoj këtë aktakuzë”, sepse “s’kam lidhje me asnjë nga pikat që i lexoj prokuroria para pak kohe”.

Por, Prokuroria siç kanë dëshmuar avokatët e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit më herët, kishte mbajtur të fshehtë një raport të CIA-s Amerikane, pasi raporti thoshte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka kryer krime terroriste.

“Udhëheqja e UÇK-së nuk duket të jetë përfshirë në operacione të drogës për të mbështetur aktivitet gjatë luftës”, thuhet në një vend.

Kurse në një pasus tjetër, raporti i CIA-s kumton se “UÇK-ja nuk ishte përfshirë në aktivitete terroriste – të përcaktuara si dhunë e paramenduar, e motivuar politikisht, e ushtruar kundër caqeve civile”.

Në fund të paraqitjes së provave, mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se për shumicën e viktimave, nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë ishte diçka “e paimagjinueshme”, duke shtuar se as të akuzuarit, “me siguri nuk kanë imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo e sotmja”.

Laws, përveç kësaj, theksoi se një pjesë e mediave në Kosovë po përpiqen të hedhin “hije dyshimi” mbi punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës ku po akuzohen ish-krerët e UÇK-së për krime të pretenduara lufte.

Ndërkaq Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023, derisa 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor dhe 312 dëshmitarë.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore