Lajme

Disney emëron ekzekutivin për të mbikëqyrur strategjinë metaverse


Kompania e argëtimit Walt Disney ka emëruar një ekzekutiv për të mbikëqyrur strategjinë e vet metaverse.

Njoftimi është bërë i ditur përmes një email-i nga shefi ekzekutiv i Disney-t, Bob Chapek, i cili ja ka dërguar stafit të martën e 15 shkurtit, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

I emëruari, Mike White, një ekzekutiv në grupin e shpërndarjes së mediave dhe argëtimit, tanimë do të jetë në rolin e ri të zëvendëspresidentit të lartë të Tregimit të Gjeneratës së ardhshme dhe Përvojave të Konsumatorit.

Aty, ai do të ndihmojë në përcaktimin se si konsumatorët e përjetojnë metaverse-in e ardhshëm të Disney-t dhe do të punojë së bashku me ekipet krijuese të kompanisë.

“Për gati 100 vjet, kompania ka përcaktuar dhe ripërcaktuar argëtimin duke përdorur teknologjinë për të sjellë histori në jetë në mënyra më të thella dhe më me ndikim”, ka shkruar Chapek në email-in drejtuar stafit.

Ai ka shtuar se “sot kemi një mundësi për t’u lidhur me ato universe dhe të krijojmë një paradigmë krejtësisht të re për mënyrën se si audienca i përjeton dhe angazhohet me historitë tona”.

Nëntorin e kaluar, Chapek njoftoi se Disney është gati të nisë udhëtimin drejt metaverse-it, i cili do ta çonte përpara tregimin duke kombinuar elementë të botës fizike dhe digjitale.

Ai e ka përshkruar metaverse-in si “kufirin e ardhshëm të madh të tregimit” dhe pjesë të prioriteteve strategjike të kompanisë.

White numëron 25 vjet përvojë teknologjike dhe lidershipi.

Përpara se t’i bashkohej Disney-t në vitin 2011, ai shërbeu si shef i teknologjisë për Apollo Group dhe më parë kaloi një dekadë në Yahoo, duke mbajtur pozicione me përgjegjësi në rritje.

Ai do të ngarkohet me vendosjen e një procesi për t’i dhënë përparësi se si të shpërndahen burimet dhe pritet të krijojë një grup pune që do të përfshijë liderë në të gjithë kompaninë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore