Kosova

Diplomati serb: Bllokada e referendumit – presion i ri ndaj serbëve për të pranuar qeverinë e Prishtinës


Zoran Milivojeviç

Për diplomatin serb, Zoran Milivojeviç njoftimet e Qeverisë së Kosovës se do të bllokojnë votimin e serbeve të Kosovës në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës në Serbi janë përpjekje e institucioneve të Kosovës për të dëshmuar shtetësinë e Kosovës.

“Është përpjekje e Prishtinës që në një farë mënyre të dëshmojë shtetësinë dhe pushtetin, është element kyç i pozitës së tyre politike”, ka thënë Milivojeviç, në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.

Sipas Milivojeviç, Albin Kurti pas dështimit të tij si Kryeministrit i Kosovës, si në politikën e brendshme ashtu edhe të jashtme të Kosovës, po përpiqet që përmes presionit ndaj serbeve në Kosovë të forcojë pozitën e tij dhe në një farë mënyre të demonstrojë ushtrimin e pushtetit në të gjithë territorin.

Ai shtoi se kjo nuk mund të ndahet nga veprimet e mëparshme të Prishtinës kundër serbëve, por edhe ato të fundit në Shtërpcë dhe se e gjithë kjo ishte në funksion të presionit ndaj palës serbe që me çdo kusht ta pranojë qeverinë në Prishtinë.

“Nëse nuk ka reagim nga ajo pjesë e bashkësisë ndërkombëtare që e mbështet Prishtinën, atëherë është plotësisht e qartë se kjo është një politikë e koordinuar që është kundër dialogut dhe zgjidhjeve politike, kundër paqes dhe stabilitetit”, tha Milivojevic.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore