Lajme

Diplomati amerikan: T’i bëhet Serbisë më shumë trysni – shqetësimet e Kosovës të trajtohen me seriozitet


Diplomati amerikan, Shaun Byrnes.

Diplomati amerikan me përvojë të gjatë në Ballkan, Shaun Byrnes, ka kërkuar që të bëhet më shumë trysni ndaj Serbisë në raport me Kosovën.

Byrnes, gjatë një intervistë për Zërin e Amerikës, ka konsideruar se situata mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e brishtë, me mundësi të rindezjes së incidenteve.

“Sa i përket Serbisë, mendoj se duhet të bëjmë më shumë trysni ndaj saj që të tregojë më shumë gatishmëri për kompromis në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Thënë sinqerisht, mendoj se duhet të jemi më të rreptë me Serbinë, sepse vazhdon të ketë qasje armiqësore ndaj Kosovës”.

“Serbia duhet ta kuptojë që Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, ka fituar pavarësinë e saj me forcën e armëve dhe i duhet ta pranojë këtë gjë. Ka patur një arsye reale që Kosova dhe popullata e saj vendosën të ndahen nga Serbia dhe serbët thjesht duhet ta pranojnë këtë gjë, por shumica e tyre nuk kanë vullnet ta pranojnë”, ka thënë ai.

Duke u bazuar në sulmin të terrorist të 24 shtatorit, Byrnes parashikon edhe ndonjë sulm tjetër me qëllim për të provokuar situatën.

“Fatkeqësisht, nga pikëpamja ime mendoj se ka mundësi dhe më duhet t’i referohem incidentit së fundi në Banjë si shembull. Është e qartë që Vuçiçi po ruhet nga nacionalistët serbë të vijës së ashpër, të cilët kundërshtojnë ashpër çdo kompromis me Kosovën”.

“Ky është problem për të dhe nuk di sa ka në dorë të ndikojë, por është e qartë, që ai druhet të ecë përpara dhe me shpejtësi. Dhe kjo hap mundësinë, që më së paku, të ketë sërish provokime”.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet ta tregojnë qëndrimin që kanë në raport me shtetin e Kosovës.

“SHBA-të duhet të dërgojnë sinjale të qarta se mbështesim Kosovën pavarësisht ndryshimeve në dinamikat tona të brendshme politike. Ne mbesim miq dhe duhet të vazhdojmë të nxisim udhëheqësit në Kosovë që të vazhdojnë dhe të shtojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe të ndërtojnë një shoqëri që respekton rendin dhe ligjin”.

“Kjo është çështja më e rëndësishme për Kosovën, që të bëhet një shtet ku mbretëron sundimi i ligjit sepse do të zgjidhte shumë probleme dhe do t’i ndihmonte drejt njohjeve të tjera”.

Ai thotë se nga liderët e shtetit të Serbisë aktualisht nuk shihet ndonjë hap për njohje të Kosovës, prandaj Byrnes e quan situatën aktuale “teatër”.

“Për mendimin tim, udhëheqësit e Serbisë nuk kanë vullnet për njohje. Andaj ajo çfarë kemi parë është një teatër. Çështja tjetër është çështja e të drejtave të popullatës së mbetur serbe në Kosovë dhe një prej çështjeve që lidhet me të është krijimi i Asociacionit të komunave serbe dhe kompetencave që do të kishte ky asociacion”.

Sa i përket atyre të Kosovës ai potencon se pasiguri për themelimin e Asociacionit ka pasur edhe në të kaluarën.

“Udhëheqësit e Kosovës, qoftë zoti Thaçi në kohën e tij, apo zoti Kurti tani, po ashtu edhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, të gjithë kanë rezerva serioze për të rënë dakord për themelimin e Asociacionit për shkak të mundësisë që ai të bëhej një hap drejt krijimit të një Republike Serbe të dytë”, shton ai.

Ndërsa, shqetësimet e Kosovës për situatën e sigurisë, ai thotë se duhet të merren me seriozitet.

“Po, mendoj se po, duke marr parasysh sjelljen e Serbisë. Ndoshta një ditë kur në Serbi të jetë një regjim me të vërtetë demokratik dhe Serbia të shndërrohet në një vend ku mbretëron ligji, me media të lira dhe të pavarura, krijimi i Asociacionit do të jetë i mundur, por shqetësimet në Prishtinë mendoj se janë reale dhe legjitime për krijimin e Asociacionit serb”.

“Më duket se një ide e tillë vetëm sa legjitimizon strukturat paralele të tanishme të Serbisë, që në shumicën e rasteve i kanë rezistuar integrimit të institucioneve të qeverisëse të Kosovës”.

25 vjetorin e përvjetorit të ndërhyrjes së NATO-së, ai e vlerëson si hapin më të duhur të asaj kohe.

“Ndërhyrja ishte një prej hapave. Ndoshta në atë kohë ka pasur edhe mundësi të tjera, por për atë kohë, ishte vendim i arsyeshëm. Asnjëra nga palët e angazhuara nuk donin më luftë, asnjëra palë nuk deshi ta bombardonte Serbinë, askush nuk deshi të përdorte forcë ushtarake dhe të ndërhynte në Kosovë për t’i dhënë fund luftës”.

“Ishte një zgjidhje e përkohshme, për të blerë kohë, nëse kjo do të funksionet, do të blinte kohë për arritjen e një zgjidhjeje politike. Ishte e rëndësisë kritike të ndaloheshin luftimet për t’iu mundësuar të dyja palëve një zgjidhje politike”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten deklaroi se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën dhe publikoi pamje të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore