Shqipëria

Diplomacia shqiptare për rastin “Beleri”: Greqia të presë që drejtësia të bëjë punën e saj


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes një deklarate, i ka rekomanduar palës greke të presë derisa drejtësia të vendosi për rastin e Fredi Belerit.

“E ftojmë Qeverinë e Greqisë të presë, ashtu si ne, që drejtësia të bëjë punën e saj”, thuhen në deklaratën e bërë nga ministria.

Po ashtu bëhet me dije se janë ndjekur reagimet e zëdhënësit të Qeverisë Greke lidhur me rastin Beleri, duke i quajtur atë “të pavenda” dhe se “injorojnë realitetin demokratik dhe të sundimit të ligjit ne Shqipëri”.

Ministria ka theksuar se qeveria shqiptare as nuk burgos, as nuk paraburgos kënd, sepse Shqipëria është një vend demokratik ku sundon parimi i ndarjes së pushteteve.

Referuar deklaratës, Beleri është subjekt i Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit.

“Qeveria Shqiptare nuk komenton veprimet dhe vendimet e këtyre strukturave. Ky parim vlen në rastin e Belerit ashtu si edhe në rastin e çdo qytetari tjetër shqiptar, në Shqipëri aq sa edhe në Greqi apo cilindo vend demokratik në Evropë e botë”, vijon deklarata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore