Shqipëria

‘Dimri’ i verës – rritet konsumi edhe në pandemi


Viti 2021 është konsideruar pozitiv, por edhe sfidues për sektorin e prodhimit të verës në Shqipëri.

Rigers Kaçorri, nga kantina “Arbëri”, për Albanian Post thotë se “nëse do të bëja një krahasim me vitin 2020, edhe pse ekuilibri i sistemit nga prodhuesi te konsumatori shfaq vështirësi nga më të ndryshmet, mendoj se ky vit ka qenë më i mirë si në prodhimtari, ashtu edhe në shitje”.

Për sa i përket prodhimit, ai shprehet se ka qenë shumë i mbarë.

“Rrallëherë ndodh që bashkohen cilësia e rrushit me sasinë dhe mund ta quaj me bindje si një vit i Artë për sektorin tonë”.

“Vështirësi në kohë pandemike”

Kaçorri thekson dhe “aspektin pandemi” sa u përket problemeve që ka hasur në biznesin e tij.

“Një sfidë për ne, vazhdon të mbetet ora policore, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në mbylljen e restoranteve, të cilët janë ndër klientët tanë potencial. Gjithashtu, nëse këto masa kufizuese do të rëndohen më tej, me aplikimin edhe të Greenpass, situata jonë do të rëndohet edhe më shumë”.

Nga ana tjetër, Evalt Domi nga kantina “Duka” thotë për Albanian Post se cilësia e verës pritet të jetë superiore, një pjesë e së cilës do të përdoret për krijimin e produktit Duka Rezerve 2021.

“Vjelja e 2021-shit është një ndër më të mirët që ka pasur vreshti nga viti i mbjelljes (viti 2004). Ky prodhim vjen si rezultat i kushteve klimaterike optimale dhe përkushtimit maksimal për të marrë një produkt cilësor”.

Kantina “Arbëri” për këtë vit krahasuar me vitet e kaluara, sipas Kaçorrit, e ka shtuar kapacitetin e prodhimit deri në 2-3% më shumë.

“Besojmë fort që vera e bardhë e varietetit ‘Shesh i Bardhë’, por edhe vera e kuqe e varietetit ‘Kallmet’ do të jenë surprizat e vitit 2021 për tregun që do të vijnë, me aroma të plota dhe të freskëta”.

Kapaciteti prodhues

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është kapaciteti prodhues.

Sipas Kaçorrit, rritja e këtij kapaciteti ka qenë një sfidë më vete për të gjithë prodhuesit gjatë pandemisë.

“Kantinat kanë qenë të tejmbushura me verën e vitit 2020 e si pasojë shumica e kantinave të verës janë detyruar që lëndën e parë rrush ta shesin në vend të përpunimit”, ravijëzon ai.

Me rastin e festave ka pasur dhe luhatje pozitive në kërkesat për verë.

“Afrimi i festave të fundvitit shënoi dhe kërkesën më të lartë për blerjen e verës. Krahasuar me një vit më parë, kërkesat u rritën me 60% (ka ndikuar dukshëm dhe hapja e restoranteve gjatë periudhës të festave)”, tregon Domi.

Kaçorri gjithashtu thotë se “këtë fundvit kemi identifikuar se kërkesat si nga konsumatori, individë, edhe nga konsumatori biznes për produkte të verës vendase kanë qenë më të larta. Kjo na ka motivuar edhe më shumë, pasi puna jonë po përkthehet në rritjen e reputacionit të produktit ‘Made in Albania’”.

“Lënda e parë, më e shtrenjtë”

Rritja e çmimeve për lëndën e parë ka ndikuar dhe në çmimin përfundimtar të verës. Këtë e pohojnë vetë përfaqësuesit.

“Çmimet finale të shitjes janë rritur me 15-20% gjatë 6-mujorit të dytë të 2021”, thotë Domi.

Kjo rritje do të reflektohet dhe në vitin 2022.

“Është një rritje e drejtpërdrejtë e lidhur me rritjen e çmimit të lëndës së parë rrushit me 5-10 lekë për kilogramë, por edhe të rritjes së shisheve të qelqit. Të gjitha kantinat në Shqipëri e blejnë produktin shishe qelq në tregun e jashtëm, e cila gjithashtu ka pësuar një rritje me mbi 15-20%”, pohon Kaçorri.

Ai thekson se një rritje në çmim ka pësuar edhe kartoni, i cili përdoret për të mbajtur kutitë e verës, apo letra që përdoret për etiketimin.

“Një rritje e tillë e çmimit në sektorin e prodhimit të verës është reflektuar edhe në kantinat e vendeve evropiane dhe në Ballkan. Ne, si prodhues, sigurisht që jemi të përgatitur që kjo rritje do të sjellë një tkurrje të kërkesës së konsumatorit, ndaj shpresojmë që mekanizmat shtetërorë të vihen në lëvizje për t’u gjetur një mundësi që kostot e prodhuesve të jenë në nivele të përballueshme”.

“Jo vetëm shije, por edhe ture”

Turet janë një element shumë i rëndësishëm për interesin e vizitorëve dhe mundësitë që ofron kantina.

“Kantina ‘Arbëri’ ofron disa lloj turesh, të cilat kanë tërhequr shumë vizitorë të njihen me historinë dhe produktet tona. Ne organizojmë dy lloje turesh, të cilat duhet të prenotohen të paktën tri ditë më parë, në adresën e emaili-t”, thotë Kaçorri.

Edhe Domi thekson se kantina ofron shërbimin e WineTour nga viti 2018.

“Ky shërbim e ka renditur kantinën në një nga atraksionet kryesore turistike për qytetin e Durrësit. Gjatë vitit 2021, numri i vizitorëve ka arritur në 5 mijë turistë të huaj”.

Ndërsa, në vitin 2021, tregon Kaçorri, kanë pritur rreth 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 300 vizitorë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë shtetas të huaj dhe interesi për të njohur Shqipërinë, edhe në sektorin e prodhimit të verës, i ka tërhequr të na vizitojnë.

“Nga viti në vit sektori i prodhimit të verës është bërë një magnet për thithjen e turistëve të huaj, çka e bën turizmin në Shqipëri të jetë multidimensional, duke ndikuar pozitivisht në shumë sektorë të ekonomisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore