Lajme

Dilema e BE-së: A duhet t’ia heqë Kosovës “menjëherë” apo “gradualisht” sanksionet


Ilustrim

Në takimin e fundit që Komiteti për Politikë dhe Siguri të Bashkimit Evropian (BE) zhvilloi të martën në Bruksel të Belgjikës, shumica e vendeve anëtare u shprehën në favor të heqjes së plotë të “masave negative” kundër Kosovës, por raportohet se tetë vende dëshirojnë që masat ndëshkuese të vendosura në qershor të vitit të kaluar të hiqen në një mënyrë graduale.

Në mesin e shteteve anëtare të BE-së megjithatë ekziston një dilemë: shtetet anëtare të bllokut, ndonëse pajtohen për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës, ndahen në dy grupe për mënyrën e heqjes së tyre – përderisa Franca, Italia dhe Gjermania, duan “heqje graduale” të masave, disa shtete tjera duan që sanksionet të hiqen në mënyrë të plotë dhe të menjëhershme.

Francës, Italisë dhe Gjermanisë u janë bashkuar edhe tri vende të BE-së që s’e njohin Kosovën – Greqia, Spanja dhe Qipro – ndërsa vendet që kërkojnë “heqjen e plotë” janë Finlanda, Kroacia, Polonia e Sllovenia. Pra, aspekti pozitiv është se asnjë vend nuk është shprehur kundër heqjes së masave ndëshkuese që BE-ja vendosi ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi këtë muaj se Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë një qasje më konstruktive në mënyrë që masat kufizuese të hiqen. Megjithatë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pritet të propozojë që Kosovës t’i hiqen sanksionet, por ende nuk dihet se kur do të ndodhë.

Zyrtarët e BE-së vazhdimisht nënvizojnë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës që u implementuan në bazë të deklaratës së 27 vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të tërhiqen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë hapa konkretë në drejtim të deeskalimit të situatës në veri, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore