Lajme

Dilema e Austrisë për bllokimin dhe gjobat për të pavaksinuarit


Në një intervistë për të përditshmen italiane, “Corriere della Sera”, kancelari i ri austriak, Alexander Schallenberg, ka pohuar se situata me të pavaksinuarit do ta detyrojnë vendin të vendosë gjoba.

Kjo lëvizje e Austrisë, sipas tij, mund të nisë më 1 shkurt 2022.

“Të gjithë ata që nuk janë vaksinuar do të marrin një njoftim që i fton të vaksinohen. Ata që nuk e bëjnë këtë deri në atë datë do të duhet të paguajnë një gjobë të madhe”, ka deklaruar Schallenberg.

Mirëpo, në gjykimin e kancelarit, vënia e gjobës është masë ekstreme.

“Shpresoj që puna jonë bindëse t’i shtyjë njerëzit të mos presin deri në momentin e fundit”, ka thënë ai.

Për vendosjen e vaksinimit të detyrueshëm, kancelari ka sqaruar se ishte i nevojshëm dhe gjithashtu i justifikueshëm.

“Deri vonë kam shpresuar se do të ishte e mundur të bindja më shumë austriakë që ta bënin vullnetarisht vaksinën. Nuk ishte vetëm qeveria që shpjegoi se ishte e rëndësishme kjo masë, por edhe ekspertët, mjekët dhe mediat”, ka treguar ai.

Lidhur me efektet e derimëtanishme të masave të marra, ai ka thënë se kanë qenë pozitive, por shifrat ende mbeten të larta, po ashtu situata mbetet e rënduar.

“Marrëveshja është për t’i dhënë fund bllokimit më 10 dhjetor dhe shpresoj se do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, por vetëm për pjesën e vaksinuar të popullsisë”, ka zbuluar kancelari.

Mirëpo, çështja është edhe më serioze kur merren parasysh variantet e reja të virusit.

“Me variantet e reja si Omicron, po veprojmë shpejt. Nuk lejohet hyrja për ata që vijnë nga Afrika e Jugut dhe bëhet apel për ata që janë kthyer ditët e fundit nga ai vend ose nga vende fqinje që të regjistrohen dhe të testohen”, apelon kancelari.

Ai ka ravijëzuar se “me një përqindje prej 66 për qind të të gjithë popullsisë të vaksinuar, nuk do të dalim kurrë nga rrethi vicioz i valëve të reja dhe debateve të reja për bllokimin”.

Ai është shprehur për “Corriere della Sera” se detyrimi i vaksinimit nuk rëndon aq sa bllokimi apo kufizimet.

“Çdo bllokim është një ndërhyrje e rëndë në liritë themelore të qytetarëve tanë. Detyrimi i vaksinimit është më pak i tillë”, ka qartësuar ai.

Paçka kësaj, duket se bllokimi ka qenë i pashmangshëm.

“Besimi im ka qenë gjithmonë të bind të pavaksinuarit që të vaksinohen, në vend që të kufizoj lirinë e atyre që janë imunizuar. Por numrat e infektimit u rritën në mënyrë eksponenciale dhe ne u detyruam të prezantonim një bllokim kombëtar”, ka treguar kancelari.

Ama, vëmendja te liritë e qytetarëve nuk zhvendoset. Edhe pse vendoset bllokimi.

“Qëllimi ynë mbetet që të vaksinuarve t’u japim sa më shumë liri. Por në pandemi, ka një ndryshim midis atyre që janë në gjendje t’i rezistojnë virusit sepse janë të imunizuar dhe atyre që refuzojnë të vaksinohen”, ka dalluar ai.

Dhe për këtë të fundit, kancelari austriak i hedh sytë nga skena politike.

“E veçanta austriake në pandemi është prania në parlament e një force politike që vepron në mënyrë të papërgjegjshme kundër shkencës dhe ushqen frikën kolektive”, ka veçuar Schallenberg.

Më konkretisht, e ka fjalën për opozitën e ekstremit të djathtë në vend, FPÖ, e cila e akuzon atë se dëshiron të vendosë diktaturën.

“Dallimi kryesor midis peizazhit politik austriak dhe atij të vendeve të tjera evropiane është se partia e tretë e parlamentit tonë flet hapur kundër vaksinimit, duke mohuar se është e vetmja rrugëdalje nga pandemia”, ka thënë ai për “Corriere della Sera”.

Dhe se kjo sjellje “shumëfishon skepticizmin dhe dyshimet”. Pa anashkaluar as gabimet e tjera, ku në fillim qeveria ka folur për dy doza e më pas doli se ishte e nevojshme edhe një e retë.

Për këtë rezistencë të popullatës, veçanërisht në zonat malore të Austrisë, Schallenberg i është drejtuar rrjedhës së historisë.

Sipas tij, “ka arsye sociale, historike. Ka një pjesë të popullatës gjermanfolëse që e shikon shkencën me skepticizëm dhe preferon të shërohet me metoda natyrale”.

Nuk ka harruar të përmendi as sezonin e skive, për të cilin ka zbuluar se mund të hapet. Por me kufizime.

“Ata që nuk janë vaksinuar ose kuruar nuk do të kenë akses në ashensorët e skive, pistat, strehimoret dhe hotelet. Por duhet të monitorojmë gjithashtu se çfarë po ndodh në vendet fqinje”, ka treguar kancelari.

Për të, një gjë është më se e qartë. Nuk do të pranojë kufizime udhëtimi.

Kjo sepse ndryshimin nga viti 2020 e bëjnë vaksinat dhe jo ndalimi i lëvizjes së të vaksinuarve plotësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore