Lajme

Dikur “heroi”, tash “ai polici që e kanë vrarë” – Biseda e turpshme e Mimoza Kusari-Lilës për Enver Zymberin


Mimoza Kusari-Lila dhe Albin Kurti

Në pjesën e tretë të audio-incizimeve të publikuara ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, duke komunikuar me përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç, kryedeputetja i drejtohet me shpërfillje e jo me titullin “Hero i Kosovës” zyrtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i vrarë në vitin 2011.

Kusari-Lila, teksa i ankohet Simiçit për deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, i cili, sipas asaj që dëgjohet në audio-incizimet e publikuara nga “Nacionale”, në Komisionin Parlamentar për Energji ka kërkuar që të dërgohen njësitet policore në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë për t’i detyruar ata t’i paguajnë faturat e rrymës.

“Herën e parë e ka bërë, e di atë policin Enver Zymberi që e kanë vrarë, po flisnim për gjendjen energjetike në Komisionin [Parlamentar]… ‘Dërgojeni policinë dhe le të rregullohet’…E di atë që keni thënë ju që të mos bëhet në veri…”, ka thënë Kusari-Lila në bisedën me zyrtarin serb.

Megjithatë, në një postim të para më shumë se një dekade, përkatisht më 27 korrik 2011, për deputeten e partisë në pushtet, zyrtari policor që ishte vrarë nga strukturat paralele në veriun e vendit gjatë një aksioni, nuk konsiderohej vetëm “ai polici që e kanë vrarë”, por “biri dhe heroi i sovranitetit” të Kosovës.

“Ngushëllime për familjen, të afërmit, kolegët dhe gjithë Kosovën për birin dhe heroin e sovranitetit Enver Zymberi, i cili ra në mbrojtje të kufinjëve të Kosovës. U preftë në paqe dhe qoftë i lehtë dheu mbi të. Me përulësi dhe dhimbje për jetën e humbur”, kishte shkruar ajo.

Kusari-Lila edhe në të kaluarën kishte deklaruar se më mirë është të ndahen mjete nga Operatorit i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës për pakicën serbe në veri, se sa të dërgohen forca policore dhe të kthehen në arkivol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore