Lajme

Digjet një veturë në Veri


Ilustrim

Në rrugën “Nemanja” në Zveçan një personi të shtunën i është djegur vetura, derisa rasti po hetohet nga policia.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se i është djegur vetura e tij me targa lokale. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Një person është invervistuar të shtunën nga policia pasi në pikën kufitare në Bërnjak gjatë kontrollimit të dokumenteve të veturës është vërejtur se libreza e qarkullimit të veturës e lëshuar nga autoritetet e Serbisë dyshohet se është e falsifikuar.

Në raport thuhet se përmes lexuesit të dokumenteve është verifikuar kodi elektronik i librezës dhe nuk janë shfaqur të dhëna.

I dyshuari është intervistuar dhe pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt

Organet e rendit kanë njoftuar po ashtu se një person është arrestuar të shtunën në Mitrovicë, nën dyshimin se e ka sulmuar seksualisht një grua.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit i është bërë ekzaminimi psikiatrik. Rasti ka ndodhur të premten pasdite, ndërsa pas arrestimit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa një person ka pësuar lëndime trupore të shtunën në Kamenicë, si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer në shtëpinë e tij në fshatin Busavatë.

Sipas raportit policor, dyshohet se zjarri ka shpërthyer nga ndezja e kaminit.

“I lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK dhe sipas mjekëve ka djegie të shkallës së parë. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore