Lajme

Diamanti rozë i zbuluar në Angola, më i madhi në 300 vjet


Në Angola është zbuluar një diamant i madh rozë prej 170 karatësh.

Ai pretendohet të jetë guri më i madh i tillë i gjetur në 300 vjet.

I quajtur “Lulo Rose”, diamanti u gjet në minierën e diamanteve aluviale Lulo në rajonin e pasur me diamante Lunda Norte të Angolës, sipas kompanisë zotëruese të minierës Lucapa Diamond.

“Vetëm një në 10 mijë diamante ka ngjyrë rozë. Pra, sigurisht që është diçka shumë e rrallë të gjendet një diamant shumë i madh rozë”, ka thënë shefi ekzekutiv Stephen Wetherall.

Guri i çmuar rozë pritet të marrë një çmim të lartë kur të dalë në ankand, por Wetherall ka thënë se nuk e dinte se çfarë çmimi do të paguhej për shkak të ngjyrës së tij.

Lulo është një minierë aluviale, që do të thotë se gurët janë nxjerrë nga një shtrat lumi.

Sipas Wetherall, kompania ishte duke kërkuar për depozitat nëntokësore, të cilat do të ishin burimi kryesor i diamanteve.

Rreth 400 të punësuar janë duke punuar në minierën Lulo, e cila ka nxjerrë dy diamantet më të mëdhenj të gjetur ndonjëherë në Angola, duke përfshirë një diamant të pastër 404 karatësh.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore