Lajme

Diamanti i pretenduar nga India, “bombë diplomatike” në kurorëzimin e Camilla-s


Një përplasje diplomatike ka prishur planet për ceremoninë e 6 majit, kur gruaja e mbretit Charles do të kurorëzohet së bashku me sundimtarin e ri.

Camilla-s iu duhet të mbajë kurorën që ka diamantin mitik Koh-i-Noor, 105 karatësh që erdhi në posedim të Mbretëreshës Victoria 150 vjet më parë.

Por për indianët gjesti do të zgjonte “kujtime të dhimbshme të së kaluarës koloniale” dhe “do të kthente në ditët e Perandorisë Britanike”.

Diamanti është përdorur në Londër për breza të tërë për kurorëzimin e bashkëshorteve të mbretërve.

Në vitin 1902, ai u montua në kurorën e Alexandra-s, gruaja e Edward VII, më pas në vitin 1911 në atë të Mary, gruas së George V, më në fund në vitin 1937 në kurorën e nënës mbretëreshë Elizabeth, gruaja e George VI.

Kurora me Koh-i-Noor u vendos gjithashtu në arkivolin e nënës mbretëreshë në funeralin e saj në vitin 2002.

Sipas legjendave, diamanti përrallor mund të mbahet vetëm nga një grua: ai do t’u sillte fat të keq burrave.

Por tani fati i keq varet nga Camilla, siç ka thënë edhe historiani William Dalrymple,autor i një libri mbi Koh-i-Noor, ai është një “bombë e madhe diplomatike”.

Megjithëse burime të Pallatit në Buckingham kanë theksuar se deri vonë xhevahiri nuk kishte qenë “problematik”, por tani njerëzit në pallat do të jenë “të ndjeshëm ndaj çështjeve të sotme”.

Vetë Mbreti Charles është “shumë i ndjeshëm ndaj këtyre çështjeve: ka ndjeshmëri serioze politike dhe një nervozizëm të konsiderueshëm rreth tyre”.

Ose diamanti do të shkëputet prej kurorës ose Camilla do të zgjedhë diçka tjetër nga koleksioni mbretëror.

Nga ana tjetër, e gjithë ceremonia e kurorëzimit, me urdhër të Mbretit Charles, duhet të pasqyrojë kohët moderne dhe të jetë më pak e kushtueshme se ajo e mbajtur për Elizabeth 70 vjet më parë.

Sakaq, polemika vjen në një moment veçanërisht delikat për marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Indisë.

Delhit nuk i pëlqeu largimi i ministres së Brendshme, Suella Braverman, e cila ka njoftuar një shtrëngim të emigracionit nga India.

Kështu që, negociatat për një marrëveshje dypalëshe tregtare mes dy vendeve janë rikthyer në det të hapur dhe kryeministri Narendra Modi ka hequr dorë për të shkuar në Londër.

Koh-i-Noor është quajtur “diamanti më famëkeq në botë”. Ai është simbol i imperializmit britanik.

Ai i ishte “dhuruar” Mbretëreshës Victoria dhe ajo e mbante atë si karficë për zbukurim.

Por origjina e Koh-i-Noor është venitur në mjegullën e kohës.

Ka referenca që ai daton 3 mijë 200 vjet para Krishtit, megjithëse dëshmia e parë e shkruar është nga viti 1628, kur perandori Mughal e vendosi atë në fronin e tij.

Gjatë shekujve diamanti i përkiste disa dinastive, kryesisht afgane, përpara se të kthehej në Indi në vitin 1813.

Kohët e fundit, ai është pretenduar nga Pakistani, Bangladeshi, Afganistani dhe talebanët, si dhe India, e cila ka kërkuar kthimin e tij që nga pavarësia në vitin 1947.

Sipas historianit Dalrymple, është “një gur jashtëzakonisht delikat”.

Po ashtu ka rëndësi për një numër të madh njerëzish dhe ka vazhduar të jetë shumë i diskutueshëm që nga vdekja e mbretëreshës.

Dhe meqë India është një fuqi globale në zhvillim, çështje pritet të rikthehet në vëmendje.

Madje, përfshirja e Koh-i-Noor në ceremoninë e kurorëzimit mund të jetë “shuplakë” për përpjekjet e familjes mbretërore për t’i “vënë gurin imperializmit”.

Ekspozimi i tij mund të shërbejë “rikujtuar marrëdhëniet e shfrytëzimit midis Britanisë së Madhe dhe Indisë”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore