Shqipëria

Dialogu nuk funksionon më – Rama kërkon që KFOR të marrë kontrollin e Veriut, Macron dhe Scholz të përfshihen direkt për normalizimin


Një dialog në formatin e deri tanishëm nuk ka më asnjë lloj efekti për zgjidhjen mes Kosovës dhe Serbisë, në situatën e krijuar pas sulmit terrorist në Veri, ku një efektiv i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë nga kriminelët serbë.

Për këtë, kryeministri shqiptar ka dy kërkesa të qarta, ku një prej tyre lidhet me marrjen e kontrollit në Veri nga ana e KFOR-it dhe tjetra, lidhen me përfshirjen në procesin e normalizimit të vetë presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Në bazë të asaj që Rama përshkroi në një konferencë për media, ai shtjelloi se idenë e një tryeze ndërkombëtare e ka hedhur prej kohësh në publik dhe ajo nuk është pritur si duhet.

Por, fakti sot me përshkallëzimin e rrezikshëm në veri (e cila mund të shkojë deri aty sa të kthehet në një Donbass të vogël), tregon se koha i ka dhënë të drejtë atij vetë.

Ndaj, çfarë shton më tej kryeministri?

Duhet ngritur sipas tij një konferencë normalizimi me planin franko-gjerman në qendër të tij, i cili është ende në tryezë dhe nuk dihet se për sa kohë do të jetë i tillë.

Përfaqësimi i Bashkimit Evropian dhe komunitetit euro-atlantik, duhet të ngrihet në nivelet më të larta të përfaqësive, me Macron dhe Scholz pjesë integrale të tryezës.

KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës, thotë Rama

Vetë kështu sipas tij, mund të vijë paqja.

“Formati i sotëm i Brukselit ku venë e vijnë dy burra këtej, e hyjnë e dalin dy burra andej, nuk ka çfarë i ofron më paqes në këtë situatë të re”, shtjelloi ai. “Mund të ketë viktima nga një konflikt i armatosur”, paralajmëron.

Ndaj, mbi këtë referim, paqeruajtësit e KFOR-it duhet të marrin kontrollin e plotë në veri dhe të mos lejojnë më situata të tilla.

Teksa, ai ka përshëndetur edhe nismën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të pasur një draft të ri të hartuar me ndihmën e SHBA-ve, ku në qendër të jetë njohja e Kosovës nga Serbia.

Rama e konsideron pozitive kërkesën e Osmanit që Asociacioni të draftohet bashkë me SHBA-të

Rama i del kundër BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se Bashkimi Evropian nuk është i lumtur me qëndrimin e vendit për të mos u linjëzuar me komentin sa i takon ngjarjeve të fundit në Kosovë, por kjo nuk do të thotë se Tirana zyrtare do të tërhiqet nga kërkesa për të pasur një deklaratë të dytë lidhur me sulmin terrorist në Banjskë.

Fillimisht, kryeministri ka shpjeguar se ndryshimi i deklaratës nga BE-ja është i pamundur.

Këtë ia ka thënë edhe Brukseli Ramës, duke treguar se ajo ishte një deklaratë zyrtare pas dështimit të takimit mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç.

Dhe në fakt këtë kryeministri shqiptar e ka pranuar, pasi nuk ka rezerva mbi deklaratën në vetvete dhe beson se kritikat qëndrojnë plotësisht dhe mbi të cilat Kosova duhet të reflektojë në dialogun e normalizimit.

Por, ai vetë ka kërkuar që publikimi i kësaj deklarate, të pasohej me një tjetër, mbi zhvillimet e patolerueshme në veri.

Veçse kjo momentalisht nuk është e mundur sipas BE-së. E pavarësisht kësaj, qëndrimi i Shqipërisë, nuk ka për të ndryshuar, theksoi kryeministri, duke kërkuar sërish dënimin e Serbisë për vrasjen e efektivit të Policisë në Kosovë.

Mbi të gjitha, kreu i Qeverisë shqiptare ka kërkuar që akti serb të dënohet, qoftë për faktin se të angazhuar kanë qenë persona ekstremisht të armatosur, por edhe për faktin se Beogradi shpalli ditë zie, për terroristët e eliminuar në territorin e Kosovës.

“Nuk është gjaku i një kalimtari në rrugë, të vrarë nga një makinë me targa serbe. Por gjaku i një efektivi të Policisë së Kosovë, nga një grup kriminal i armatosur rëndë”, shtoi kryeministri, teksa ravijëzon se populli i Kosovës meriton të dëgjojë një qëndrim më të prerë nga Evropa.

Kjo, pasi boll “ka vuajtur si Kosova, ashtu edhe i gjithë rajoni, nga ‘hajvanllëku’ i konflikteve etnike që përfundojnë në gjakderdhje dhe mos e dhëntë zoti, luftë”.

Po ashtu, ka përshkruar edhe se diçka të tillë e ka paralajmëruar më parë, deri edhe në Samitin e NATO-s në Vilnius, se diçka e tillë mund të ndodhte.

Por vetë fakti se ndodhi tashmë, duhet të shtyjë gjithë ndërkombëtarët ta marrin çështjen seriozisht dhe të mos lejojnë më përshkallëzimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore