Shqipëria

Rama e konsideron pozitive kërkesën e Osmanit që Asociacioni të draftohet bashkë me SHBA-të


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka konsideruar si pozitive kërkesën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Kjo e fundit ka kërkuar që SHBA-të të marrin rolin udhëheqës të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që aktualisht ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

Sipas Ramës, njohja e Kosovës duhet të vihet në tryezë një orë e më parë.

Osmani tha një ditë më parë se SHBA-të asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Kosova që të themelojë një instrument për pakicën serbe që do të rrezikonte funksionalizimin e shtetit kosovar, derisa ka shtuar se për këtë arsye, partnerët e vetëm në këtë proces duhet të jenë në Uashington. Presidentja Osmani ka nënvizuar se Kosovës i duhen garancat e forta të SHBA-ve.

Presidentja Osmani ka përmendur sërish siguresën që ish-shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ia kishte dhënë ish-kryeministrit Isa Mustafa, ku thuhej se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk do të përbente kurrsesi nivel të tretë të pushtetit. Ajo ka vlerësuar se drafti fillestar për këtë mekanizëm duhet t’i paraqitet Antony Blinkenit – Sekretarit amerikan të Shtetit (DASH).

“Ne duhet ta prezantojmë para sekretarit amerikan draftin tonë i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe letrën e Mogherinit që garanton që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan [Gabriel Escobar dhe Derek Chollet] i cili sqaron se do të jetë vetëm trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, ka thënë ajo.

SHBA-ja dhe BE-ja e përshkruajnë këtë “detyrë urgjente” dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës, ndërsa nga kryeministri Kurti, tash po pritet hartimi i një draft-statuti që do t’i hapte rrugë themelimit të këtij instrumenti madhor për serbët e Kosovës për të treguar se liderët kosovarë janë “seriozë” dhe dëshirojnë të “zgjidhin konfliktin”.

Presidentja Osmani ka thënë se koordinimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është i vazhdueshëm, ndërsa ka shtuar se duhet të ngrihet niveli i gjithëpërfshirjes në procesin e dialogun me Serbinë, në mënyrë që të arrihet kohezioni shoqëror lidhur me këtë çështje. Ajo ka nënvizuar dallimet me kryeministrin Kurti i kanë tejkaluar për hir të interesave të Kosovës.

Osmani kërkon që Asociacioni të draftohet bashkë me SHBA-të

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore