Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel dhe paralajmërimi ogurzi i Zelenskyyt


Ilustrim

Në kohën kur përpjekjet e diplomatëve perëndimorë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë intensifikuar, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka lëshuar një paralajmërim që mund të tingëllojë sikurse një ogur i zi për të ardhmen.

Duke filluar nga harku i krizës që shtrihet nga marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, Azerbajxhanit e Armenisë, luftës në Ukrainë, deri në konfliktin e fundit mes Izraelit dhe Palestinës, mundësitë për shkatërrim dhe përfshirje të të gjithëve janë shtuar kaq frikshëm – në pikëpamjen e presidentit ukrainas, i cili ka thënë se është i vetëdijshëm për planet e errëta të Rusisë.

Përderisa kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë qëndruar të enjten në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), presidenti Zelenskyy në të njëjtën ditë i ka bërë thirrje botës perëndimore për përshpejtimin e zgjidhjes së konflikteve në rajon, përpara se Rusia të rindezë një zjarr të madh.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme. Shpërqëndrimi i dytë do të jetë Ballkani. Nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani, do të ketë një tjetër ‘shpërthim’ të tillë dhe përsëri, kjo s’do të jetë një histori e re”, ka alarmuar presidenti Zelenskyy gjatë një bashkëbisedmi me disa gazetarë në Afrikë.

Dhe, pikë kthese prej konflikteve të papërfunduara në rajon do të duhej të ishte arritja e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe pikërisht për shkak të të një sasie të çështjeve të mbetura pezull, një cikël i ri në procesin e dialogut për paqe është zhvilluar të enjten e 16 nëntorit në kryeqendrën politike evropiane, por pa rezultate të prekshme.

Emisari Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, ka pritur në takime të ndara kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – për të diskutuar “hapat e radhës” drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), përfshirë çështje të tjera të pazgjidhura që ende rëndojnë.

Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, ka njoftuar se diskutimet që ka zhvilluar në Bruksel me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, kanë qenë “të frytshme” në aspektin e njëfarë “progresi” në disa çështje që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por jo edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Sot kam pritur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund të takimeve në kuadër të dialogut në Bruksel. Diskutimet ishin shumë të frytshme për të bërë progres në një numër të çështjeve në agjendën tonë”, ka shkruar Lajçaku në llogarinë e tij, duke qenë se pas negociatave të gjata diplomatike nuk është deklaruar për media.

E shefi i ekipit negociator të palës kosovare, në një prononcim për media pas takimit me Lajçakun në Bruksel, ka thënë se në këtë takim nuk është diskutuar fare për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse sipas tij, nuk ka pasur nevojë, ndonëse ka qenë në agjendë, kurse shefi i delegacionit të palës serbe ka deklaruar pikërisht të kundërtën.

Bislimi ka thënë se pa nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura nga ana e Serbisë, s’do të nis as puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përkundër se është pranuar në parim nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, në takimin me liderët Gjermanisë, Francës dhe Italisë, më 26 tetor, duke ofruar edhe nënshkrimin.

“Nuk mund të nis zbatimi [pa nënshkrim], sepse duhet garancia që kemi një marrëveshje valide, që sjell obligime edhe për palën tjetër. Jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin e plotë, ta nënshkruajmë së bashku me dy dokumentet tjera. Nuk kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga BE-ja, prandaj edhe nuk kemi diskutuar”, ka thënë kryenegociatori kosovar.

Nga ana tjetër, shefi i palës negociatore të Serbisë, ka thënë se në takimin e të enjtes kanë biseduar posaçërisht për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por edhe për çështje tjera në kuadër të dialogut, derisa ka konsideruar se themelimi i këtij mekanizmi është “hapi i parë” drejt normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

E kryenegociatori i Kosovës ka vlerësuar se pika më e rëndësishme e takimit ka qenë diskutimi për finalizimin e sekuencimit të Marrëveshjes Bazike, derisa ka shtuar se draft-statuti i prezantuar nga emisarët perëndimorë më 21 tetor ka pasur “kujdes të shtuar” për Kushtetutën e Kosovës, ndonëse fjalën e fundit do ta ketë Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë, shefi i delegacionit serb ka falënderuar “ekipin e ekspertëve” të Serbisë, të cilët, sipas tij, kanë argumentuar detajisht disa nga aspektet e draft-statutit, veçanërisht pjesës që ka të bëjë me “kompetencat ekzekutive” të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përfshirë planifikimin hapësinor, shëndetësinë, arsimin dhe zhvillimin ekonomik.

“Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ne i kushtojmë vëmendje çdo shkronje sepse ai duhet të përfaqësojë vetë shtyllën kurrizore të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe gjithçka duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, ka thënë ndër të tjera Petkoviç.

Përkundër se është ende herët të priten “rezultate spektakolare”, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pritet të hyjë në fazën përmbyllëse. Duke qenë se për rezultate është herët të flitet, ekizton bindja e krerëve të shteteve evropiane se me armiqësi të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht integrimet euro-atlantike të Kosovës e Serbisë.

Megjithatë, paralelisht me përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për arritjen e një marreveshjeje paqeje përmes kompromisit të negociuar, po vazhdojnë edhe përpjekjet e Rusisë që nëpërmjet Serbisë të zgjerojë fushëveprimin e ta shtrijë ndikimin në rajon, posaçërisht në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Lojtarët lokalë serbë të lidhur me interesat ruse janë çelësi i aftësisë së Rusisë për të siguruar ndikim në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga Lista Sërpska – forca politike e serbëve të Kosovës – presidenti secesionist i entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik deri te Demokracia e Re Serbe (NSD) në Qeverinë e Malit të Zi.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” do vazhdojë ditët në vijim, negociatat diplomatike nuk do të lejohen të kthehen në arsye për papajtueshmëri se sa për të zgjidhur problemet, ndërsa gjithnjë e më shumë janë rritur zërat për mundësinë e ri-përshkallëzimit të situatës dhe ngjitjen drejt ekstremeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore